Imzot  Georg Bätzing, Imzot Georg Bätzing,  

Në Gjermani e diela e sotme ishte ditë lutjeje e solidariteti për të sëmurët nga Covid 19

Të dielën e sotme, 6 shtator, Gjermania ia kushtoi të sëmurëve nga coronavirusi. Me ndihmat e mbledhura për fushatën, u krijua një llogari e posaçme

R. SH. - Vatikan

Të dielën e sotme, 6 shtator, Gjermania ia kushtoi  të sëmurëve nga coronavirusi. Nisma u organizua nga Kisha katolike në vend. Imzot  Georg Bätzing, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore gjermane kujton se solidariteti nuk duhet shprehur vetëm me fjalë, por edhe me vepra, për t’i ndihmuar ata që po vuajnë nga pandemia. Ndaj edhe u quajt “E diela e lutjes dhe e solidaritetit”. “Kur njerëzit jetojnë të kërcënuar nga rreziku për jetën, kujdesi baritor është posaçërisht i rëndësishëm e ne, të krishterëve, nuk duhet të na mungojë dëshira për t’i mjekuar plagët e hapura të kësaj kohe kaq të vështirë - shkruan në letrën drejtuar famullive imzot Georg Bätzing - ndaj të gjithë ata, që i ndihmuan të tjerët, duke e bërë të prekshme shpresën e krishterë, meritojnë të falënderohen nxehtësisht!”.

Solidariteti nuk njeh kufij

Pa harruar se solidariteti i kapërcen të gjithë kufijtë. Prelati nënvizon  se katolikët gjermanë kanë mësuar, në rrjedhë vitesh, t’i kushtojnë vëmendje  edhe nevojave të atyre, që jetojnë në të katër anët e botës,  që janë të uritur, që nuk kanë mbrojtje shëndetësore, as struktura në shërbim të jetës së tyre. Ndaj katolikët gjermanë menduan këto ditë edhe për popullsitë e  Afrikës, Azisë, Amerikës Latine dhe Evropës Lindore, duke e bërë global solidaritetin e krishterë.

Lutje e bamirësi konkrete për të prekurit nga pandemia

Famullitë e besimtarët morën pjesë me shumicë në këtë të Diel lutjeje e solidariteti, edhe konkretisht, duke iu përgjigjur ftesës së imzot Georg Bätzing:

“Ju kërkoj  ta kremtoni këtë ditë në famullinë tuaj, posaçërisht gjatë Meshës. Të lutemi për të varfërit e mbarë botës, të prekur rëndë nga pandemia e nga pasojat e saj ekonomike e shoqërore. Të lutemi me ta e t’ua shprehim edhe konkretisht solidaritetin tonë”.

Me ndihmat e mbledhura për fushatën e luftës kundër koronavirusit, u krijua një llogari e posaçme.

06 shtator 2020, 14:01