Kërko

Vatican News
2020.05.25 Vangelo del giorno Cristo Pantocratore arcangeli globo 2020.05.25 Vangelo del giorno Cristo Pantocratore arcangeli globo  (Vatican News)

Në Festën e Kryeengjëjve, Kisha na porosit: “Të jemi engjëj për njëri-tjetrin”

Këta kryeengjëj na tregojnë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut.

R.SH. - Vatikan

Në festën e sotme të tre Kryeengjëjve: Mikelit (Mëhillit), Gabrielit e Rafaelit, Kisha na kujton se njerëzit duhet të bëhen e të jenë engjëj për njëri-tjetrin.

Këta kryengjëj janë lajmëtarë ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet madhështisë së Zotit dhe nevojave e mjerimit të bijve të ti: si Mikeli, i cili i krijon Zotit hapësira në shpirtin e njeriut që nganjëherë tundohet të largohet nga Hyji; si Gabrieli, që e çon Krishtin në zemrën e njeriut; si Rafaeli, mjeku që pastron dashurinë ndërmjet personave e që shëron verbërinë e njeriut, i cili nuk është në gjendje t’i shikojë punët e qiellit. Këtë thekson liturgjia e festës duke na shpjeguar se engjëjt janë lajmëtarë të Hyjit, ata ia sjellin Zotin njerëzve, hapin qiellin e kështu hapin edhe tokën. 

Pikërisht nga që rrinë pranë Zotit, Engjëjt mund të qëndrojnë edhe pranë njeriut. Hapin qiellin e tokën dhe i tregojnë njeriut kush është në të vërtetë, i zbulojnë atë, që nganjëherë është e fshehur dhe e mbyllur në shpirtin e tij. I bëjnë thirrje njeriut të hyjë në vetvete, duke e prekur nga ana e Zotit. Në këtë edhe ne duhet të bëhemi vazhdimisht engjëj për njeri-tjetrin, engjëj që na largojnë nga rrugët e gabuara e na tregojnë shtegun që na rikthen tek Zoti Dashuri.

Shën Rafaeli Kryeengjëll, shëruesi i plagëve në shpirtrat e njerëzve që nuk e njohin ose nuk duan ta pranojnë të vërtetën dhe dashurinë e Zotit, sipas traditës kishtare, njihet për shërimin e dashurisë njerëzore, sepse dëbon djajtë, që tronditin bashkimin martesor ndërmjet burrit e gruas. E veç kësaj, u kthen të verbërve dritën e syve:“E dimë të gjithë se sot kërcënohemi nga verbëria, që rrezikon të na pengojë për ta parë Zotin, për ta shijuar dritën e tij, të verbuar siç jemi nga sendet materiale. E shërbimi i Rafaelit është ta shërojë këtë verbëri përmes mesazhit të fesë dhe dëshmisë së dashurisë". (Nga homelia e Benediktit XVI në Meshën e festës së Shenjtorëve Kryeengjëj, 29.09. 2007)

Shën Gabriel Kryeengjëll, që i kumtoi lindjen e Jezusit Nënës së tij, Virgjërës Mari, është ai që shpreh dëshirën e Krishtit për të hyrë në zemrën e njeriut. Zoti është tek porta, tek porta e botës e tek porta e çdo zemre.  Gabrieli i solli Marisë lajmin e amësisë së saj të jashtëzakonshme si dhe titullin “Hirëplote”, me të cilin e përshëndeti Zojën e Bekuar. E Maria i dha një përgjigje që vijon të jehojë në zemrat e të gjithëve. Duke qenë e dashur nga Zoti, Maria është plotësisht aktive, sepse e pranon me gatishmëri personale valën e dashurisë që Hyji ndikon mbi të. Edhe në këtë gjë ajo është nxënëse e përkryer e të Birit i cili, me nënshtrimin ndaj Atit, realizon plotësisht lirinë e vet. Përballë misterit të këtyre dy përgjigjeve “Ja ku jam” të Krishtit e të Virgjërës, që pasqyrohen njëra tek tjetra e formojnë një Amen të vetëm përpara vullnetit të Zotit, ne mbetemi të mahnitur e, plot mirënjohje, adhurojmë.

Pra, pranimi i lajmit të Engjëllit të Tënzot nga Maria Virgjer, krijon kushtet që lidhja e Besës së re ndërmjet Zotit e njerëzimit të vuloset në mënyrë të përkryer. E pikërisht në hapësirën hirplote të përgjigjes së saj pohuese Maria bëhet edhe Nënë e Kishës, aq sa të përfshijë nën mantelin e saj çdo institucion e mbarështues, edhe misionin e Pjetrit e të pasardhësve të tij.

Shën Mikeli Kryeengjëll, na kujton se lufta ndërmjet së mirës e së keqes, pavarësisht nëse njeriu beson ose jo, duhet ta bëjë atë të marrë përsipër përgjegjësinë e vet për t’iu kundërvënë egoizmit, padrejtësisë, indiferencës. Emri Mëhill vjen nga shprehja “Mi-ka-El”, që do të thotë “kush është si Zoti?”. Kryeengjëlli Mëhill është ai që ka mbrojtur fenë në Zotin nga hordhitë e Qoftëlargtit. Kulti i tij e ka origjinën në Lindje. Duke filluar nga viti 313, perandori romak Kostandini I i dha shumë rëndësi devocionit për të, derisa i kushtoi të ashtuquajturin “Mikeleion”, një shenjtërore madhështore në Kostandinopojë. Në fund të shekullit V, kulti u përhap me shpejtësi në gjithë Evropën, pas dukjes së kryengjëllit në zonën e Garganos në Pulja të Italisë.

Kryeengjëj Mikeli, Rafaeli e Gabrieli, secili prej tyre ka një mision të posaçëm në historinë e shëlbimit. Ta kërkojmë me besim ndihmën e tyre, si dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës. Prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast. Këta kryeengjëj na tregojnë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut.

E mos të harrojmë se edhe shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta. Engjëjt dërgohen nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor. Kujtojmë se emrat Mikel, Gabriel e Rafael janë mjaft të përhapur ndër shqiptarë, madje Shën Mikeli, është i njohur edhe si Shën Mhilli. 

 

 

29 shtator 2020, 09:42