Në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, lutje në internet

Për Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, u publikua në internet një përmbledhje me lutje nga veprimtarët e Karitasit.

R.SH. - Vatikan

E shtuna, dita në të cilën ndërroi jetë shenjtja shqiptare e dashurisë, Nënë Tereza, është shpallur nga Kombet e Bashkuara, Ditë Ndërkombëtare e Bamirësisë. Pikërisht me këtë rast, në faqen e internetit të Karitasit Italian u publikua një përmbledhje me lutjet e veprimtarëve të organizatës kishtare katolike, me titull “Bamirësi e Mision”.

“Tekstet – shpjegon Karitasi në një komunikatë – janë shkruar gjatë vitit, nga punonjësit e Karitasit Italian, mbi bazën e dy nxitjeve: udhëzimeve të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për veprimtarinë misionare, model për çdo veprim të Kishës, si edhe reflektimit drejt 50-vjetorit të Karitasit Italian, që do të kremtohet vitin e ardhshëm. Këtyre dy nxitjeve iu shtua emergjenca Covid-19, që ka ndikuar thellësisht, përveçse në nivelin ekonomik e shoqëror, edhe në përmasën e në jetën shpirtërore të secilit prej nesh”.

“Prania, marrëdhëniet njerëzore, bashkimi kishtar, ndarja e vuajtjeve me tjetrin. Kjo do të thotë të zhytemi në vuajtjet e në problemet e çdo bashkësie e të çdo njeriu, duke mbrojtur me guxim vlerat, dinjitetin dhe të drejtat. Ky takim i Kishës e i popullit, që duhet të na bashkojë, mund të jetë stimul dhe arsye për impenjim e shpresë në përballimin e problemeve të reja, që paraqet zhvillimi i shoqërisë në gjithë vendin e në botën mbarë, gjatë e pas pandemisë”, nënvizohet së fundi në komunikatë.

07 shtator 2020, 13:41