Kërko

San Michele Arcangelo.jpg San Michele Arcangelo.jpg  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Një lutje të veçantë Shën Mëhillit Kryeengjëll

Një lutje Shën Mëhillit Kryeengjëll: Shën Mëhill Kryeengjëll, na mbro në betejë: qofsh mbështetja jonë kundër pabesisë dhe kurtheve të djallit. Zoti ushtroftë pushtetin e tij mbi të, për këtë të lutemi e të përgjërohemi. E ti, o princ i ushtrisë qiellore, me pushtetin e Hyjit, flaki edhe një herë në Ferr satanain dhe të gjithë shpirtrat e tjerë të këqinj, të cilët enden nëpër botë për t’i humbur shpirtrat. Amen!

R.SH. - Vatikan

Sot me rastin e festёs sё Shёn Mёhillit Kryengjёll, duam të flasim për një lutje të veçantë të traditës katolike, për lutjen drejtuar Shën Mëhillit Kryeengjëll. Mёhill a Mikel do tё thotё 'ai që ndihmon'. Jo shumë e njohur, sepse nuk thuhet më prej kohësh gjatë Meshës, ajo ka të bëjë me mbrojtjen e Kishës dhe të besimtarëve nga i keqi, nga qoftëlargëti, nga djalli. Lutja mund të thuhet gjatë Rruzares, ose në fund të 5 dhjetësheve e para litanive lauretane, ose pas çdo dhjetësheje pas Lavdi Atit, zakonisht në formë të reduktuar.

Po ç’është kjo lutje e cila është origjina e saj?

Më 13 tetor 1884, në fund të kremtimit të meshës, Papa Leoni XIII dëgjoi një zë, që vinte si nga fundi i dheut, i cili thoshte: “Mund ta shkatërroj Kishën tënde: për ta bërë këtë kam nevojë për më shumë kohë e më shumë fuqi”. Pastaj, Papa dëgjoi një zë më të ëmbël, që pyeste: “Sa kohë? Sa fuqi?” Zëri i çjerrë u përgjigj: “Nga 75 në 100 vjet e pushtet më të madh mbi ata, që vihen në shërbimin tim”. Zëri miqësor i tha: “E ke këtë kohë…”. Thellësisht i shqetësuar, Leoni XIII hartoi një lutje të veçantë, për t’u thënë në fund të meshës. Kjo lutje i drejtohej shën Mëhillit Kryeengjëll, i cili së bashku me shën Gabrielin e shën Rafaelin përmenden si kryeengjëj që në Librin e Tobisë e gjetiu në Bibël. Emri Mëhill, apo Mikel, vjen nga shprehja “Mi-ka-El”, që do të thotë “kush është si Zoti?”. Shën Mëhilli kryeengjëll njihet se mbrojti fenë në Zotin e vërtetë, kundër hordhive të djallit, dikur engjëj, që ngritën krye kundër Hyjit, i cili i mbylli në Ferr.

Pikërisht për ta mbrojtur Kishën nga Qoftëlargti, Papa Leoni XIII vendosi që të gjithë besimtarët, të kthyer nga elteri, të thonin këtë lutje në fund të meshës, para se t’i drejtoheshin për tri herë radhazi Zemrës së Krishtit:

Shën Mëhill Kryeengjëll, na mbro në betejë: qofsh mbështetja jonë kundër pabesisë dhe kurtheve të djallit. Zoti ushtroftë pushtetin e tij mbi të, për këtë të lutemi e të përgjërohemi. E ti, o princ i ushtrisë qiellore, me pushtetin e Hyjit, flaki edhe një herë në Ferr satanain dhe të gjithë shpirtrat e tjerë të këqinj, të cilët enden nëpër botë për t’i humbur shpirtrat. Amen. (Versioni latinisht: Sancte Michaël Arcangele, defende nos in proelio, contra nequitias et insidias diaboli esto presidium; imperet illi Deus, supplices deprecamur; tuque, princeps militiae coelestis, satanam aliosque spiritus malignos, qui ad perditionem animarum pervagantur in mundo, divina virtute, in infernum detrude. Amen)

Kjo lutje vazhdoi të thuhej deri më 29 shtator 1964, kur udhëzimi “Inter oecumenici”, në n.48, paragrafi “j”, dekretoi se “lutjet leoniane pezullohen”. Gjithsesi, lutja mbetet si prolog i një ekzorcizmi të njohur, i cili, sipas ligjeve të Kishës Katolike, mund të shqiptohet nga një meshtar i autorizuar nga ipeshkvi e, në formë private, nga çdo besimtar i pagëzuar.

29 shtator 2020, 09:46