Kërko

Santissimo Nome di Gesù, monogramma Santissimo Nome di Gesù, monogramma 

Liturgjia e Fjalës sё Zotit e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele të 23-të gjatë vitit kishtar, Jezu Krishti na propozon një gjë të vështirë por të rëndësishme e të çmueshme për familjet tona, e komunitetet: korrigjimin vëllazëror. Këtë duhet ta bëjmë në kuadrin e imtimit dhe ecjes sonë pas Krishtit deri në kryq.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës. Bashkësia e besimtarëve rritet e përforcohet me gjestet konkrete të dashurisë: ndreqjen apo korrigjimin vëllazëror dhe uratën. Leximet biblike të kësaj së diele paraqesin përmasën e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të një komuniteti. Në fragmentin e Ungjillit (18,15-20)  Jezusi na propozon një gjë të vështirë por të rëndësishme e të çmueshme për familjet e komunitetet tona: korrigjimin vëllazëror.

Liturgjia e Fjalës e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Përpara Zotit jemi të gjithë mëkatarë, e të gjithë kemi nevojë për falje. Këtё na kujton Jezusi nё Ungjillin e kёsaj sё dielem nga Mateu, duke folur pёr e qortimin vëllazëror. Kur na duhet të qortojmë një vëlla të krishterë, që bën ndonjë gjë jo të mirë, Jezusi na këshillon ndërhyrjen progresive. Etapat e kësaj udhe qortuese tregojnë përpjekjen që Krishti Zot i kërkon bashkësisë së Tij, për ta shoqëruar të gabuarin, që të mos humbasë. Duhet, sidomos, të shmanget potera e kronikës dhe thashethemnaja e bashkësisë, e kjo është e para.

‘Shko e qortoje, ti e ai, vetëm për vetëm (Mt 18,15). Është sjellje plot delikatesë, urti, përvujtëri, vëmendje ndaj atij, që ka bërë faj, duke shmangur rrezikun që fjalët ta plagosin a ta vrasin vëllain. Sepse e dimë mirë që edhe fjalët vrasin! Kur unë e marr vëllain nëpër gojë kot, kur e kritikoj padrejtësish, kur e ‘theri’ me gjuhën time, kjo do të thotë ta vrasësh emrin e tij të mirë! Pra edhe fjalët vrasin. Njëkohësisht, Ungjilli na kujton se kjo maturi, që na shtyn t’i flasim vëllait vetëm për vetëm, ka për qëllim të mos e poshtërojmë tjetrin e kur duam të qortojmë, të kemi parasysh, së pari, se fajtori duhet ndihmuar ta kuptojë atë, që ka bërë, ta marrë vesh se faji i tij ka prekur jo vetëm një njeri, por të gjithë. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin edhe për t’u çliruar nga mllefi, nga inati, që bëjnë vetëm keq: inati e hidhëron zemrën, e nxit të fyejë e të sulmojë. Prandaj larg fyerjeve! Fyerja nuk është e krishterë, të fyesh nuk është e krishterë.

E mos tё harrojmë se, para syve të Zotit të gjithë jemi mëkatarë e të gjithë kemi nevojë për ndjesë. Të gjithë pa dallim e pa pёrjashtim. Jezusi na porosit të mos gjykojmë. Qortimi vëllazëror, është, atëherë, aspekt i dashurisë dhe i bashkimit, që duhet të mbretërojnë në familjet dhe bashkësitë e krishtera, është shërbim reciprok, që duhet t’i bëjmë njëri-tjetrit.

Ta qortosh vëllain, është shërbim i mundshëm dhe i frytshëm vetëm nëse secili e pranon se është mëkatar e se ka nevojë për faljen e Zotit. Vetë ndërgjegjja, që më bën ta shoh gabimin e tjetrit, më përpara më kujton se edhe unë vetë gaboj, e jo një herë të vetme. Prandaj, në fillim të çdo Meshe, jemi gjithnjë të ftuar të pranojmë, para syve të Zotit, se jemi mëkatarë e se kemi nevojё pёr falje e mёshirё. Ndërmjet kushteve, që i bashkojnë pjesëmarrësit në kremtimin eukaristik, dy kushte janë themelore, për të marrë pjesë mirë në Meshë: të gjithë jemi mëkatarë dhe të gjithëve Zoti na dhuron mëshirën e Tij. Kёtё duhet ta kujtojmë gjithnjë, para se të nisemi te vëllai, për qortim vëllazëror

Në Leximin I nga Ezekieli profet (33,7-9) shohim se prania e profetit në mesin e popullit të Zotit që nuk i ndjek urdhërimet e Hyjit është për ta thirrur popullit t’i kthehet udhës së drejtë të Zotit. Në leximin e parë, Zoti na thotë: ty të kam vënë si rojtar e si zë për vëllezërit tu.

Në Leximin II Pali apostull në Letrën drejtuar Romakëve (13,8-10) thekson se dashuria është urdhri më i madh sepse të gjithë njerëzit mund përfshihen e të përmbyllën në të.  Pali na kujton se: “keni vetëm një detyrim atë të dhurimit të dashurisë reciproke” . 

Në fragmentin e Ungjillit nga Mateu (18,15-20) mësojmë se i krishteri, i përngjan profetit, është i thirrur të jetë për komunitetin porsi Ezekieli: dritë, prijës, qortim, pajtim. "Prapë po ju them, pohon Jezusi: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.” 

                                            Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Ez 33, 7-9) 
Nëse ti nuk i flet të patenzonit, unë do të kërkoj gjakun e tij prej dorës sate kur ai të vdesë. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet 
Kështu thotë Zoti: “Ty, o biri i njeriut, unë do të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patënzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. Por, në qoftë se e qorton të patënzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.” Fjala e Zotit.

Psalmi 95 (94)
Ref: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd 

_____________________________
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, 
t’i këndojmë këngë hareje!
_____________________________
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, 
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë, 
ne jemi populli i kullotës së tij, 
grigja që ai e ruan.
_____________________________
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë, 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, 
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: 
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 13, 8-10) 
Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar ligjin. Sepse: ‘Mos bëj kurorëthyerje! Mos vrit! Mos vidh! Mos lakmo!’ e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër, është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i ligjit. Fjala e Zotit 

Ungjilli (Mt 18, 15-20)
Ne qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merre me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.
Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, dhe çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.
Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.” Fjala e Zotit!

05 shtator 2020, 12:23