Kërko

Gesù Salvatore Gesù Salvatore 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Në Ungjillin e së dieles Jezusi i thotë Pjetrit se duhet t’i falë fyerjet jo shtatë herë, po shtatëdhjetë herë shtatë. E pse u dashka të falim dikë, që na ka bërë keq? Shëmbëlltyra ungjillore na thotë pikërisht këtë: ashtu si Zoti na fal ne, ashtu edhe ne duhet t’i falim ata, që na bëjnë keq. E kërkojmë përditë këtë, me lutjen e “Atynës”, kur themi: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë!”.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të meshës së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Në qendër të Fjalës së Zotit të kësaj së diele është FALJA. “Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh mëkatet tua do të falen”, pohon Leximi I (Sir 28,2). Në fragmentin e Ungjillit nga Mateu (18,21-35), Jezusi i thotë Pjetrit se duhet t’i falë fyerjet jo shtatë herë, po shtatëdhjetë herë shtatë. E pse u dashka të falim dikë, që na ka bërë keq? , mund të pyesim, për t’u përgjigjur menjëherë: sepse ne të parët jemi falur e shumë herë më tepër.

“Nuk të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë”: kjo është këshilla e Ungjillit të kësaj sё diele, që Jezusi ia thotë Pjetrit, i cili e pyeste se sa herë ishte e drejtë të falte. Krishti tregon shëmbëlltyrën e pronarit, që i fal borxhin shërbëtorit të vet, i cili, nga ana e tij, nuk tregon po të njëjtën mëshirë për një tjetër, që i kishte borxh. Ky fragment ungjillor reflekton mbi mëshirën e Zotit dhe mbi forcën e faljes.

Falja është mënyra me të cilën fiton Zoti. Pavarësisht nga brishtësia jonë njerëzore, Hyji, plot mëshirë e dëshirë për falje, e shndërron jetën e njeriut dhe e thërret ta ndjekë. Dashuria e Zotit është pa kufi e na fton të marrim pjesë në të, në këtë dashuri, që buron nga zemra e Jezusit, nga Eukaristia. Falja është shenja e dashurisë së paskajshme të Zotit që na le të lirë për t’u larguar, por Ai e pret kthimin tonë. E kur një person e përjeton gëzimin e faljes, nuk mund të mos ia dhurojë faljen edhe tjetrit.

Duhet t’i rezistojmë tundimin për të mos e mbyllur zemrën tonë ndaj atij që na ka fyer dhe kërkon faljen tonë e, të mos harrojmë se falja nuk e mohon padrejtësinë a fyerjen e pësuar por e konsideron njeriun, të krijuar në shëmbëllim të Zotit, dhe ripohon se njeriu është gjithmonë më i madh se e keqja që bënë.

Kjo porosia e fragmentit tё Ungjillit të dielës së sotme (Mt 18, 21-35), ku Jezusi tregon shëmbëlltyrën e mbretit të mëshirshëm dhe të shërbëtorit të pashpirt, në të cilën rrëfehet jokoherenca, pandershmëria e atij që i pari është falur e pastaj refuzon të falë të afërmin. Sjellja jokoherente e këtij shërbëtori është edhe sjellja jonë, kur refuzojmë t’i falim vëllezërit tanë. Ndërsa mbreti i shëmbëlltyrës ungjillore është imazhi i Zotit që na do me një dashuri kaq të pasur me mëshirë sa të na pranojë, duaj e falë vazhdimisht.

Qysh nga Pagëzimi ynë Zoti na ka falur, duke na shlyer borxhin e pafalshëm: mëkatin e rrjedhshëm a origjinal. Pastaj, me mëshirën e pakufishme, Ai i na fal të gjitha gabimet, posa tregojmë edhe shenjën më të vogël të pendimit tonë. Kushdo që ka përjetuar gëzimin, paqen dhe lirinë e brendshme, që vjen nga falja që ka përjetuar, edhe ai mund t’i hapet mundësisë për të falur të tjerët. Në lutjen e Atynë-s, Jezusi e ka vendosur pikërisht mësimin e kësaj shëmbëlltyre, duke vënë në lidhje të drejtpërdrejtë faljen që ia kërkojmë Zotit, me faljen që duhet t’ua ofrojmë vëllezërve tanë. 

                                                        Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Sir 27, 30 – 28, 7

Lexim prej Librit të Siracidit

Kush e zbaton synimin e mbrapshtë, mbi të ai kthehet e nuk e di se nga i ka ardhur. Përqeshja e poshtërimi s’i ndahen krenarit dhe hakmarrja i rri në pritë si luani. Në lak do të bien ata që i gëzohen rënies së të drejtëve, para se të vdesin, dhimbat do t’i shkrijnë. Hidhërimi dhe urrejtja njënjë janë të urrejtshme, të dyja në zemër i ndryen mëkatari. Kush do të hakmerret, do të gjejë hakmarrje prej Zotit e mëkatet e tija gjithmonë i ruan para sysh. Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen. Njeriu që mban hidhërim kundër njeriut, si mund të kërkojë prej Hyjit shërim?! S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e këndej lutet t’i falen mëkatet e tija?! Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim, e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?! Kush do të lutet për fajet e tija?! Le të bjerë në mend mbarimi yt e pusho të urresh; kujto shkatërrimin e vdekjen dhe mbaj urdhërimet. Fjala e Zotit.

 

Pslami 103

Ref: Zoti është i mirë e i madh në dashuri

——————————————-

Bekoje, shpirti im, Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im, Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

——————————————-

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

——————————————-

Sepse mirë e di si jemi të përbërë,

s’e harron se ne jemi pluhur.

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona,

as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

——————————————-

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,

aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë. 

Sa është lindja larg perëndimit,

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

——————————————-

 

Leximi i dytë   Rom 14, 7-9

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete, dhe asnjëri nuk vdes për vete. E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim, jemi të Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve. Fjala e Zotit.

 

Aleluja: Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti:

duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha juve.: Aleluja

 

Ungjilli   Mt 18, 21-35

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë! Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi të bëjë llogari, ia sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. E, pasi nuk kishte t’i kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ Edhe zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.  Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të vetin, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyti duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ Por ai nuk deshi dhe shkoi e e shtiu në burg deri të kthente detyrimin. Kur shërbëtorët tjerë – shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin. Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” Fjala e Zotit.

12 shtator 2020, 11:40