LearninGod: videokatekizmi në internet, sfidë për imagjinatën

U paraqit në Festivalin e Filmit të Venedikut videokatekizmi 25 orësh i regjisorit kosovar Kolndrekaj. Patriarku Moraglia: ndihmohet njeriu të rilidhë marrëdhëniet me vetveten. Atë Spadaro: me fuqinë e figurave i jepet forcë e re Fjalës së Zotit.

R.SH. - Vatikan

“Një nga problemet serioze të fesë, për Papën Françesku, është se nuk mund t’i “imagjinojmë” të vërtetat, në të cilat besojmë. Prandaj edhe e do fort “përshpirtërinë popullore”. Ajo është rezerva e artë e figurave të fuqishme, depërtuar thellë në imagjinatën kolektive të një populli”. Drejtori i revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica”, atë Antonio Spadaro, e nis nga kjo bazë paraqitjen e Videokatekizmit të Kishës Katolike, me autor regjisorin shqiptar nga Kosova, Gjon Kolndrekaj, i cili prej kohësh jeton e punon në Romë. Në një film prej 25 orësh, me 46 episode, përshtaten për ekran më se një mijë faqet e Katekizmit të miratuar nga Shën Gjon Pali II në vitin 1997, me sfidën për të “përdorur fuqinë e imazheve, që ndezin imagjinatën kolektive”, siç tha atë Spadaro. Kështu, Fjala e Zotit shpëton nga fjalët e shumta njerëzore, në të cilat jemi zhytur, por edhe nga rreziku i mërzisë.

Vepër unike: përfshin 60 mijë vetë nga 70 vende

Ndërhyrja e drejtorit të “La Civiltà Cattolica” e pasuroi paraqitjen e platformës dixhitale “LearninGod”, në Festivalin e 77-të Ndërkombëtar të Filmit në Venedik. Pikërisht videokatekizmi i Gjon Kolndrekajt është një nga pëmbajtjet më të spikatura të kësaj platforme, por ajo ofron edhe tematika e reflektime të tjera fetare, artistike e kulturore, frymëzuar nga mesazhi i Jezu Krishtit. Videokatekizmi është prodhuar nga firma CrossInMedia, me patronazhin e Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri e me tekste të Shtëpisë Botuese të Vatikanit. Vepër unike artistike, për të cilën janë dashur 5 vite punë e në të cilën janë përfshirë 60 mijë njerëz nga 70 vende të botës.

Nga Nënë Tereza e deri tek Matteo Ricci

 Tekstet e Katekizmit janë lexuar në 37 gjuhë të ndryshme, nga më se 3000 vetë të të gjitha kategorive shoqërore, ndërsa 1200 aktorë me veshjet e kohës, rikrijojnë në skenë pjesë nga Besëlidhja e Vjetër dhe e Re. Në platformë, mund të shihen të gjitha veprat e regjisorit 64-vjeçar kosovar, siç janë: “Matteo Ricci. Një jezuit në mbretërinë e dragoit”, “Nënë Tereza. Një vajzë e vogël me emrin Gonxhe”, dhe “Udhëtim në vendet e shenjta”, seri – kjo e fundit – e realizuar për Jubileun e vitit 2000.

Patriarku i Venedikut, Francesco Moraglia
Patriarku i Venedikut, Francesco Moraglia

Patriarku: kumtim i fesë me pamje e muzikë

Pas fjalëve të imzot Davide Milanit, president i Fondacionit “Ente dello Spettacolo” (Enti i Spektaklit), në hapësirën e të cilit u zhvillua takimi, patriarku i Venedikut, imzot Francesco Moraglia, nënvizoi se “Katekizmi na ndihmon të tregojmë, përmes fesë, lutjes e kremtimit, diçka që shkon përtej njeriut, por që e respekton thellësisht ndërgjegjen e tij. E besoj se kjo, përcjellë nga imazhet, tingujt, muzika, pamjet e bukura të videokatekizmit, është diçka e rëndësishme, që shndërrohet në kumt të fesë”.

Protagonistët e paraqitjes se videokatekizmit në Festivalin e Filimit të Venedikut
Protagonistët e paraqitjes se videokatekizmit në Festivalin e Filimit të Venedikut

Mogol: njerëzit dhe drita në fjalët e Jezusit

Në Hotel Excelsior të Venedikut, me ftesën e përgjegjësit të komunikimit të Fondacionit vatikanas “Jospeh Ratzinger-Benedikti XVI”, foli edhe poeti dhe autori italian, Giulio Rapetti, në art “Mogol”. Ai është këshilltari i videokatekizmit përsa i përket muzikës. “Videokatekizmi – nënzioi - është punë kolosale, madhështore, që do të mbetet në histori dhe për të cilën duhet të falënderojmë Gjon Kolndrekajn”. “Njerëzit shndriten kur përsërisin fjalët e Jezusit”, shtoi autori i famshëm.

Drejtori i revistës "La Civiltà Cattolica", atë Antonio Spadaro
Drejtori i revistës "La Civiltà Cattolica", atë Antonio Spadaro

Atë Spadaro: pamjet filmike afrojnë njerëzit me katekizmin

Në ndërhyrjen e tij, atë Antonio Spadaro paraqiti pesë sfidat dhe ambiciet e videokatekizmit, ku fjala “kthehet në element ndërlidhës”, me ambicien për t’u “përkthyer në imazhe”. Synon edhe “të tregojë histori”, t’i japë “vlerë fjalës” e, së fundi, të garantojë “kalimin e fuqishëm nga fjala e shkruar në ambientin dixhital”.

14 shtator 2020, 12:00