Kërko

Vatican News
 Peizazh japonez Peizazh japonez 

Koha e Krijimit. Cecilia Dall’Oglio: kthesë në udhën e vëllazërimit!

Nisi sot Koha e Krijimit, kremtim i përvitshëm lutjeje dhe aksioni për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, në të cilin marrin pjesë të krishterët e të gjitha konfesioneve. Tema e edicionit 2020, vit “i sëmurë nga koronavirusi”, është “Jubileu i Tokës: ritme të reja, shpresë e re”. Intervistë e Vatican News me Cecilia Dall’Oglio, anëtare e Lëvizjes katolike botërore për klimën dhe e Komitetit drejtues ekumenik të Kohës së Krijimit.

01. 09. 2020

“Gjatë pandemisë së koronavirusit  e ‘prekëm me dorë’ çfarë do të thotë impenjim  për ‘të mbrojtur anëtarin më të ligshtë të familjes sonë’. Tashti është koha për të vijuar ecjen në këtë rrugë, të bashkuar ‘në një vëllazërim global’, kohë për të përshkuar udhët e reja të ekologjisë së gjithanshme, duke nxitur frymën krijuese dhe nismat e lutjes e të kthesës komunitare dhe personale si dhe angazhimin për kujdesin ndaj Krijimit”. Kështu shprehet Cecilia Dall’ Oglio - drejtoreshë e dytë e programeve evropiane  të Lëvizjes katolike botërore për klimën - për Kohën e Krijimit, kremtim lutjeje e aksioni në mbrojtje të shtëpisë së përbashkët, me pjesëmarrjen e të krishterëve të të gjitha konfesioneve.

Datat

Dita botërore e lutjes për kujdesin ndaj Krijimit, e nisur sot, 1 shtator, do të përfundojë më 4 tetor, në festën liturgjike të Shën Françeskut të Asizit.  Takimi në këtë rast kremtohet gjatë Vitit të posaçëm kushtuar Enciklikës “Lëvduar qofsh”, 5 vjet pas  publikimit, që do të vijojë deri më 24 majin e   ardhshëm, organizuar nga Dikasteri për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

Të thirrur për të vozitur së bashku

Tema e kremtimit të 2020-tës është “Jubile për Tokën: ritme të reja, shpresë e re” - shpjegon Cecilia Dall’Oglio. Kujtimi i këtij viti të sjell menjëherë në mendje çastin e lutjes në kohën e Pandemisë, kremtuar  marsin e kaluar nga Papa, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, kur Françesku foli për atë stuhi të papritur e të furishme, që na kujtoi se jemi të gjithë në të njëtën barkë, të gjithë të brishtë, të gjithë të çorientuar, por edhe të rëndësishëm e të nevojshem, të gjithë të thirrur për të vozitur së bashku e për ta ngushëlluar njëri-tjetrin. E pyetur për  kremtimin e kësaj Dite, Cecilia Dall’ Oglio kujton:

“Tema u zgjodh nga Komiteti drejtues ekumenik për Kohën e Krijimit para se të shpërthente pandemia. Por mbetet domethënëse për këtë çast, kur u detyruam të bëjmë pushime të padëshiruara dhe prekëm me dorë ç’do të thotë të jesh i pafuqishëm përballë së keqes. Prej këndej, tema e Jubileut të Tokës në këtë Kohë të Krijimit 2020 na tingëllon si thirrje e fuqishme për përgjegjësi, që të mund të rikthehemi si duhet në jetën normale, pas kësaj krize të paparë. E kemi parasysh siluetën e Papës, atë 27 mars, në Sheshin e Shën Pjetrit. Na tingëllon i freskët në veshë  pohimi: ‘Jemi të gjithë në një barkë’. Ne besojmë se Koha e krijimit është pikërisht koha e përshtatshme për t’ia ndryshuar drejtimin kësaj barke! Duhet të lundrojmë me ritmin e Krijimit, duke e pasur mirë parasysh se Enciklika “Laudato si’” është busulla jonë. E edhe duke promovuar nisma lutjesh, kthese komunitare e personale si dhe impenjmesh për kujdesin ndaj Krijimit. Tema e Jubileut kushtuar Tokës na kujton Levitikun, si kohë e pushimit të tokës dhe e çlirimit të skllevërve. Ja, pra, edhe ne kemi nevojë të çlirohemi nga fatalizmi, nga pesimizmi, nga një lloj ekonomie që - siç thotë Papa Françesku - vret e krijon vetëm pabarazi e konflikte në botë, duke shkatërruar harmoninë e njeriut me krijimin. Duhet të besojmë, siç na e kujton “Laudato si’”, se gjërat mund të ndryshojnë! E duhet t’ia komunikojmë bashkësive tona, se kthesa në rrugën e vëllazërimit është plotësisht e mundshme. Të gjithë së bashku mund të fillojmë ecjen në një rrugë të re. Koha e krijimit është për të ecur në këto shtigje të reja të ekologjisë së gjithanshme, hap pas hapi”.

 

01 shtator 2020, 12:01