Kërko

1599462913530.jpg

Karitasi dhe Foksiv: “Alarm edukativ në gjithë botën. Me pandeminë, 40 vite mbrapa”

Edukimi është tema e këtij muaji për Karitasin dhe Foksiv, në kuadrin e fushatës “Bukën tonë të përditshme na e jep sot”. Synohet mbledhja e fondeve për të financuar 66 projekte në Afrikë, Azi, në Lindjen e Mesme dhe në Amerikën Latine, ku nevojiten ndihma për të kapërcyer gjendjen e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Në shtator, shkollat e gjithë botës i hapin sërish dyert, pavarësisht nga frika e pasiguria e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Flitet për banka, maska ​​dhe tampona, por reflektohet më pak për faktin se, në vitet që vijnë, pikërisht të rinjtë do të paguajnë çmimin më të lartë për këtë situatë. Vërtet, nëse e hedhim vështrimin në të ardhmen, nuk mund të mos e kuptojmë se “hendeku arsimor” i sotëm, me mësime nga shtëpia, që shpesh nuk kanë funksionuar, do të ndikojë në aftësitë e nesërme të të rinjve. Ky është shqetësimi i Karitasit dhe i organizatës Foksiv, ku përmblidhen shumë organizata katolike, që punojnë në fushën shoqërore. Të dyja o

rganizatat e mëdha, të shtrira në të gjithë botën, ia kushtojnë temës së arsimit e të edukimit, reflektimin e këtij muaji, në kuadrin e fushatës “Bukën tonë të përditshme na e jep sot”. Që nga 8 korriku, ato kanë filluar mbledhjen e fondeve për financimin e 66 projekteve në Afrikë, Azi, në Lindjen e Mesme dhe në Amerikën Latine, që synojnë kapërcimin e pasojave të pandemisë. Deri tani janë mbledhur rreth 50-60.000 euro. Muajt e ardhshëm, do të përfshihen më shumë dioqezat dhe territoret, sidomos në Itali, ku Foksiv ka selinë e vet.

Nxënës afrikanë
Nxënës afrikanë

Shifrat

Sipas Unicef-it, 1.5 miliard studentë në botë janë prekur nga mbyllja nëpër shtëpi, për shkak të koronavirusit. Ndërkaq, 1 miliard studentë nuk kanë pasur mundësinë të rikthehen në shkollë.

 Sipas një vlerësimi të Unesco-s, 23.8 milion fëmijë dhe të rinj - nga kopshti e deri në universitet - mund ta braktisin, ose të mos kenë mundësi të frekuentojnë shkollën, gjatë këtij viti shkollor. Të paktën 463 milion fëmijë nuk kanë qenë në gjendje të vijojnë mësimin në distancë dhe 346 milion fëmijë nga vendet më pak të zhvilluara kanë humbur edhe mundësinë për të ngrënë vaktin e vetëm të plotë ditor në shkollë.

Kompiuter për nxënësit në Uruguaj
Kompiuter për nxënësit në Uruguaj

Alarmi “edukim”

 “Covid-19 na ka bërë të kthehemi 40 vjet mbrapa në nivelet e arsimimit dhe të shkrim-leximit - nënvizon Massimo Pallottino, kreu i Zyrës së Azisë dhe Oqeanisë për Karitasin Italian. – Urgjenca, që duhet përballuar tani, është të mos lihet askush pas e të rikthehet në shkollë kush është larguar prej saj. Përndryshe, shoqërisë do t’i duhet të ndeshet me një problem të madh në të ardhmen: ata, që nuk shkojnë në shkollë, do të kenë punë të pakualifikuara dhe do të fitojnë pak, pra, do të renditen në fund të shkallës shoqërore. Si gjithmonë, do të preken më të brishtët e do të krijohen pabarazi të theksuara”.

Distancim dhe pleksiglas në shkollat e Meksikës
Distancim dhe pleksiglas në shkollat e Meksikës

Kurset e alfabetizimit në Bririn e Afrikës e në Kolumbi

Ndër 66 projektet e Kishave dhe të organizmave lokale, që do të financohen nga fushata “Bukën tonë të përditshme na e jep sot”, disa përqendrohen pikërisht mbi arsimin. Ky është rasti i qendrave të alfabetizimit në dioqezën e Xhibutit, në Bririn e Afrikës, ku shkojnë çdo vit, rreth 800 studentë. Ato mbledhin djem dhe vajza nga rruga, fëmijët e migrantëve ose të familjeve shumë të varfra, të cilët përjashtohen nga sistemi arsimor publik. Ndërkaq, etërit jozefinë të Murialdos, të cilët veprojnë edhe në Shqipëri, do të përforcojnë një qendër, që u shërben tri lagjeve të varfëra të Medellin, në Kolumbi. Përveç një vakti me ushqim për 300 fëmijë e 50 të moshuar, ata ofrojnë edhe një hapësirë për të mësuar e luajtur, një bibliotekë, një kinema/teatër, një sallë për grupet rinore. Falas, ndihmojnë fëmijët e të rinjtë për detyrat e shkollës, bëjnë laboratore e kurse profesionale. Me financimin e ri të projektit të tyre, do të kenë mundësi t’u japin 20 bursa studimi të rinjve. Gjendja është e vështirë edhe për shkak të mungesës së internetit, por koronavirusi është mjaft i përhapur në Kolumbi, prandaj rregulltarët jozefinë të Murilados po ia përshtasin projektin mësimit nga shtëpia.

08 shtator 2020, 08:41