Ipeshkvi i Gozo (Maltë) Mario Grech Ipeshkvi i Gozo (Maltë) Mario Grech 

Ipeshkvi i nderit i Gozos emërohet nga Papa sekretar i përgjithshëm i Sinodit

Ndryshime në kryesinë e Sinodit të ipeshkvijve: largohet kardinali Baldisseri. Në vendin e tij, maltezi Grech.

R. SH. - Vatikan

Pas shtatë vjetësh e pak ditë pas kremtimit të 80-vjetorit të lindjes, kardinali Lorenzo Baldisseri e përfundoi mandatin e tij si sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, me një drekë private në praninë e Atit të Shenjtë, në Pallatin Bramante, seli e Sekretarisë së Sinodit të Ipeshkvijve, në Via della Conciliazione.

Vendin e tij në udhëheqje të Sekretarisë Sinodale e zë ipeshkvi maltez Mario Grech, ipeshkëv nderi i Gozos, i cili që nga 2 tetori 2019 kryen detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Sinodit. Një vit, pra, kaluar pranë kardinalit-sekretar, duke u pasuruar nga përvoja e asamblesë sinodale kushtuar Amazonës, tetorin e kaluar.

Papa argjentinas, që e njohu Baldisserin në vitin 2007, në Konferencën V ipeshkvnore latinoamerikane të Aparesidës, e mori kësulën e bardhë pikërisht nga dora e prelatit toskanas, sekretar i Konklavit të marsit 2013, menjëherë pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Françesku, duke ndjekur një zakon të lashtë, e hoqi nga koka kësulën e kuqe të kardinalit dhe ia vuri mbi kokë sekretarit të Konklavit, në gjunjë para tij, në shenjë bindjeje. Baldisseri e mori, kështu, simbolikisht, kësulën e kuqe të kardinalit, para se të krijohej kardinal, në Koncistorin e parë të Françeskut, më 22 shkurt 2014, kur u krijua kardinal edhe Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin.

18 shtator 2020, 15:46