Kërko

 Coloseum Coloseum 

“Gurët flasin”: shtegtim në Kishën e zanafillës

Duke nisur nga 19 shtatori, në TV2000 do të mund të ndiqet një shtegtim jo i zakonshëm: do të mund të njihemi me kishat e para shtëpiake, deri në arritjen e Apostujve në Romë.

R. SH. - Vatikan

Do të jetë një shëtitje në Qytetin e Amshuar, për të thithur parfumin e  fesë; një feje të fshehur, të mbrojtur, të aftë për t’u përhapur me rrugët e mënyrat më të papritura. Duke bërë vëllezër ndërmjet të pushtetshmit e të përvuajturit. Rikthim ndërmjet viteve 67 e 107 pas Krishtit, duke nisur nga 19 shtatori, në TV2000. Për të shkelur  në Koloseum, për të soditur Harkun e Titit, foret e Domus imperiali, katakombat, bazilikat…. Shtegtim për të zbuluar Kishën e zanafillës në Qytetin e Amshuar, përmes gjurmëve arkeologjike, që lidhin ngjarjet e bashkësive të para kristiane me ato të pushtetit perandorak.

Hollësira të panjohura

Katër seri në program: dy kushtuar afirmimit të identitetit të krishterë brenda bashkësive hebraike, kur lindin kishat e para shtëpiake, deri tek arritja e Apostujve, Shën Palit e Shën Pjetrit e tek martirizmi i tyre nën sundimin e Neronit. Dy të fundit do t’i kushtohen ngjarjeve të Kishës së Romës në vitet që shkojnë nga Vespasiani - tek Traiani. “Gurët flasin”  do ta njohin shikuesin edhe me kalimin misterioz të apostullit ungjilltar Gjonit, në Romë, me martirizimin në Koloseum të Injacit, ipeshkëv i Antiokisë, me letrën e tij të famshme... Kështu shikuesi do të  kthehet për ca çaste mbrapa në kohë e do të rijetojë madhështinë e hapave të para të krishterimit, histori e shkruar me gjakun e martirëve të parë, mbi gjurmët e të cilëve ecën brezni të panumërta, deri në ditët tona…

15 shtator 2020, 08:46