GERMANY BISHOPS CONFERENCE GERMANY BISHOPS CONFERENCE 

Gjermani: Asambleja e Përgjithshme e ipeshkvijve. Efektet e pandemisë në jetën kishtare

Sesioni i vjeshtës sё Asamblesë së përgjithshme të Konferencës episkopale gjermane (Dbk) do të zhvillohet në Fulda nga data 22 deri më 24 shtator. Argumentet qendrore të asamblesë episkopale gjermane do të jenë një analizë e thellë e efekteve të pandemisë në jetën kishtare dhe një shqyrtim mbi përparimin e mëtejshëm të udhës Sinodale tё Kishёs gjermane.

R.SH. - Vatikan

Sesioni i vjeshtës sё Asamblesë së përgjithshme të Konferencës episkopale gjermane (Dbk) do të zhvillohet në Fulda nga data 22 deri më 24 shtator. Do të jenë tё pranishëm 69 anëtarë tё Konferencës Episkopale tё Gjermanisё, kryesuar nga presidenti, ipeshkvi i Limburgut, Imzot Georg Bätzing. Për shkak të kufizimeve të vazhdueshme shkaktuar nga virusi Covid-19, ipeshkvijtë do të mbajnë një Asamble më të shkurtër, 3 ditë në vend të 4 ditëve, dhe punimet do tё zhvillohen në një sallë mjaft të madhe vënë në dispozicion nga Bashkia e Fuldës në Pallatin e Qytetit, për të siguruar kёshtu distancën e kërkuar nga rregullat kundër pandemisë. Në hapje tё punimeve tё Asamblesë së përgjithshme të Konferencës episkopale gjermane do të marrë pjesë edhe Nunci Apostolik nё Berlin, Imzot Nikola Eteroviç.

Argumentet qendrore të asamblesë episkopale gjermane do të jenë një analizë e thellë e efekteve të pandemisë në jetën kishtare dhe një shqyrtim mbi përparimin e mëtejshëm të udhës Sinodale tё Kishёs gjermane, veçanërisht pas konferencave episkopale rajonale që sapo kanë pёrfunduar. Asambleja e Përgjithshme e Konferencës episkopale gjermane do të merret edhe me statistikat e Kishës gjatë vitit 2019 dhe me udhёzimet e mësimet e Kongregatës sё Vatikanit për  Klerin mbi organizimin e famullive kishtare. Shqyrtime të reja do të bëhen gjithashtu  edhe mbi problemin e abuzimeve në dritën e botimit të të dhënave mbi rastet brenda Urdhrave dhe Familjeve rregulltare. Dy tema tjera që do të trajtohen në mënyrë të veçantë do të jenë analiza e një teksti mbi kremtimet e funeraleve dhe mbi kremtimet liturgjike në kohë e fatkeqësi të vështira.

16 shtator 2020, 11:51