2020.01.07 Mons Ernest Çoba, arcivescovo di Scutari (redazione albanese) 2020.01.07 Mons Ernest Çoba, arcivescovo di Scutari (redazione albanese) 

Ernest Çoba: "Miku i skamnorëve-Kleriku që nuk u thye kurrë”.

Konferencë e Argjipeshkvisë së Shkodrës, kushtuar Imzot Ernest Çobës – “Mikut të skamnorëve - Klerikut, që nuk u thye kurrë” e që rikthehet në mes të njerëzve.

R.SH. - Vatikan

Më 19 shtator 2020, Argjipeshkvia e Shkodrës do të organizojë Konferencën me titull: “Ernest Çoba: Miku i skamnorëve-Kleriku që nuk u thye kurrë”, me rastin e 40 vjetorit të kalimit në Amshim të këtij Kleriku martir. Gjatë kësaj Konference, në kumtesën e Lisandri Kolës (“Monsinjor
Ernest M. Çoba-përkthyes e poet: nji autoritet i heshtun letrar”) do të flitet edhe për dy vepra pak të njohura të ipeshkvit-martir, tashmë pjesë e ‘Kolanës Kêns’, përgatitur për lexuesin nga Lisandri e Aristea Kola. Falë përkushtimit të tyre, këto vepra të  Mons. Ernest Çobës (edicionet të 1943-4), janë të aksesueshme prej publikut.

Folëm në emisionin e datës 05. 07. 2020 për  veprën  e titulluar “Keze të hueja”, dorëshkrimi i së cilës, i ruajtur në AQSH, Fondi 727, Dosja 3, është nji fletore me përkthime e Monsinjor Ernest Çobës, që për fat mbijetoi (herë duke humbur e herë duke u gjetur pothuajse e plotë tash 90 vjet). Përkthyesi e dëshmon në Postscriptum-in e tij (1973) se ky dorëshkrim u rigjet nga ai mbas dyzet vitesh. Janë gjithsej 19 poezi të përkthyera, lirika, balada, sonete e me radhë, dhe poezia e njëzetë është poezia përmbyllëse origjinale e përkthyesit. Gjithsej u përkthyen prej tij 568 vargje.

Në këto përkthime jehon optimizmi rinor, ndjehet orientimi letrar dhe një kompetencë gjuhe e parakohshme për moshën, kur u kryen këto punime. Monsinjori ishte kund 18 vjeç kur ia nisi kësaj pune, duke e mbyllur 21 vjeç (1922) dorën e parë, për t’iu rikthyer në moshën 60 vjeçare (1972) sërish; po kësaj herë vetëm me Giusti-n dhe Metastasio-n, si edhe riprovën e Tasso-s, përkrah poezisë.

Tani shohin dritën – shprehje që u shkon shumë për shtat, sepse afro tetë dekada në terr – dy vepërza të tjera: “Katekizmi Katholik, për Kursin e Ultë të Shkollave të Mesme, Besojma"; (Shtypshkroja “Shqypja”, Shkodër, 1944) (http://kens.al/revista/kolonakens/katekizmi_katholik.pdf) dhe “Kryqtari Deshmuer Shën Ernesti Abat e Martyr (1100-1148)". (http://kens.al/revista/kolonakens/kryqtari_deshmuer.pdf).

Libreci “Kryqtari Deshmuer”, u nis si proces pune mbas një komunikimi me P. Genovizzin, më shumë se 6 vite para se të botohej [1943], siç dëshmon Çoba në Parathënien [Lezuesit] e librecit, dhe u dorëzua në ‘Kumbonën e së Dielles’, e cila mandej e botoi si separat: “Por, në kaqë, ditët kaluen e dorëshkrimi mbet dekun ndër letra. Sod mbas mâ se gjashtë vjetsh, shi ndër këto dit qi nuk më binte as ndër mend për tâ, nji nzitje e papëritne më shtŷni të ja epshem Drejtimit të Kumbonës për botim.” (f. 4) - shkruan Autori.

Përpos se vepër hagiografike, kjo punë e Çobës dallohet për nivelin gjuhësor dhe frazat e zhdërvjellta në shqipe, p.sh.: “Natyrë e mirë e e dashtun, Ernesti, qýsh i rí, përparoi ndër mësime. Si i kreu këndimet, hyeni n’urdhën të Shën Benediktit. U dha me hití e përkushtí tue shfrytzuem cehën e çëmueshme të Shkrimit Shêjt, sidomos mbassi bani kushtet rregulltare, e në pak kohë mbrrijti me dalë profesuer shkencash kishtare.” (ff. 6-7)

Duket se ky punim mbi jetën e Shën Ernestit përkoi tragjikisht me jetën e Mons. Ernest Çobës: pra ngjan sikur Çoba vetë shkroi (telepatikisht) fatin e jetës së tij nën diktaturën komuniste. Në një shenjë të rreshtave, ai shprehet për Shenjtin: “Nuk trazohei të mendojë se me ç farë martyrizimi do ta derdhte gjakun per dashtuní të Krishtit.” (f. 10).

Ndërsa përshkrimi i torturave të Martirit, Shën Ernestit, është – për fatin e keq - prelud i vuajtjeve të tij (Çobës) në burgjet komuniste:
 “Përpara kësi kobi, i ropën lëkurën e tonsurës e mbassi e daltuen me thadrime të thella, ja çilën barkun. Ende nuk kishte dekë. Ja lidhën atëherë zorrët qi i kishin dalë jashtë për nji thupër e, tue ja ngrehun mizorisht, ja suellen rreth e rreth shtatit si t’ishin konop, deri sa rá vdekun per tokë. Qikështu, sikúr na bân dishmí besnikisht Marsili meshtár, i erdh mbarimi i lumnueshëm Shën Ernestit, i dêjë, sikúr thotë nji auktuer, me kênë kunoruem në qiell me trí keze: të virgjinís, të dijetarit, të martyrit.” (f. 14)

Tani “Kolanës Kêns” i shtohen edhe këto dy vepërza, që besojmë se e ndihmojnë kontaktin e publikut me këtë autor të përvûjtë, duke e nxjerrë në pah karakterin e tij fetar (skolastik). Na u desh shumë punë - kujtojnë bashkëshortët Kola - “me i identifikue si burime, dhe me iu nënshtrue nji përpunimi profesional-teknologjik që me pasë nji publikim dhe lexim komod”.

Tani mund të quhet lumturisht “punë e kryeme”. E kjo punë do të paraqitet, ndër kumtime të tjera, më 19 shtator, në Konferencën e organizuar prej Arkipeshkvisë Shkodër me titull: “Ernest Çoba: Miku i skamnorëve-Kleriku që nuk u thye kurrë”, në të cilën bashkideatori i gjithë kësaj pune, Dr. Lisandri Kola, do të mbajë një kumtesë (në lidhje direkte). Do Zoti e realizohet si duhet edhe kjo lidhje në vijë teknologjike - uron - e urojmë, me të drejtë.

09 shtator 2020, 09:54