Kërko

 Fetë-ekumenizëm, dialog ndërfetar Fetë-ekumenizëm, dialog ndërfetar 

Dialog në Universitetin e Luganos: fetë e mëdha u flasin të gjithëve

Titullohet “Religion from Inside” seminari i fakultetit teologjik të Universitetit zviceran, në të cilin, me rrugë virtuale, flasin përfaqësues të krishterimit, hebraizmit, islamit, budizmit e hinduizmit. Synimi është të zbulohet në ç’masë ndihmojnë fetë për mirëkuptimin ndërmjet njerëzve të besimeve të ndryshme.

R. SH. - Vatikan

Secila nga fetë e mëdha të botës, ka parimet e veta për dialogun me tjetrin, që mund të nisë përmes njohjes paraprake të riteve të ndryshme. E pikërisht duke u nisur nga ky konstatim, lindi kursi on line, titulluar “Religion from Inside” (Feja, e parë nga afër), organizuar nga fakulteti i teologjisë së Luganos, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të krishterimit, hebraizmit, islamit, budizmit e hinduizmit.

Çdo fe ka elemente, që i hapin rrugën njohjes

“Dialogu ndërfetar u bë i mundur falë faktit se të gjitha fetë e kanë një hapësirë, ku njerëzit mund të takohen si vëllezër -  shpjegon, në Vatican News, Adriano Fabris, profesor i Etikës në Universiteitn e Pizës dhe drejtor i Institutit Re.te(religioni e teologia), pranë Universitetit të Luganos.

“E reja, që sjell ky kurs - nënvizon - është pjesëmarrja e vetë përfaqësuesve të feve botërore, që shpjegojnë parimet themelore edhe praktikat e feve të tyre, duke pohuar se çdo fe e ka një element me frymë vëllazërimi,  e edhe një parim, që fton për dashuri, respekt për të afërmin, dashamirësi, të gjitha ndjenja që e kanë burimin tek lidhja e ngushtë, e pazgjidhshme e njerëzores me hyjnoren,  e cila e nxit njeriun  ta shikojë tjetrin si të afërm e si vëlla, sapse bir i të njëtit Atë.

Leksione on line, që mund të ndiqen nga të gjithë

Kursi, që do të mbahet falas, do të zgjasë  gjashtë javë e do të ketë vlerën e Masterit universitar. Synohet të ndiqet nga sa më shumë dëgjues, përmes formatit MOOS – Massive Open Online Course. Ka këtë ambicie - ripohon profesor Fabris, ideator i kursit - “Është udhë serioze, me mbështetje, forum, i cili të ndihmon t’u përgjigjesh pyetjeve, që mund të të lindin mbi argumentin, ndonëse nuk është tipikisht akademik. Prej këndej, u drejtohet të gjithë atyre, që duan t’i njohin nga afër fetë e ndryshme, e edhe vetveten e traditën e vet”.

Roli i pandemisë

Vendimtar për zhvillimin e këtij kursi ishte situata botërore e krijuar nga pandemia e koronavirusit. “Fjalimet e Atit të Shenjtë në këtë këndvështrim, na frymëzuan ta rimendojmë veprimtarinë tonë në kohën e pandemisë e na dhanë një nxitje të thellë”- shpjegon akoma Fabris. “Si të krishterë që jemi, duhet t’u japim përgjigje situatave  të kohës sonë. Prandaj ne, si njerëz që merremi me kulturën e, posaçërisht me  dialogun ndërfetar, u përpoqëm ta bëjmë këtë. Udha kryesore na hapet nga teknologjitë e informimit e të komunikimit për këtë platformë, që jemi detyruar ta përdorim  të gjithë” – përfundon.

Programi i kursit

Referuesit do të jenë: Renée Roux, rektor i fakultetit të Teologjisë të Luganos për krishterimin; rabini Ephraim Meir, profesor nderi i Filozofisë hebraike pranë universitetit izraelit të Bar-Ilan; imami Yahya Sergio Yahe Pallavicini, kryetar i Coreis italiane; specialisti i budizmit Seung Chul Kim i universitetit japonez Nanzan dhe hinduisti Svamini Hamsananda Giri, i Bashkimit hinduist italian. Takimi i parë do të mbahet më 5 tetor. Ata që dëshirojnë të marrin pjesë, mund ta shkruajnë emrin në linkun:

 https://www.futurelearn.com/courses/religions-from-the-inside interreligous-dialogue.

18 shtator 2020, 13:36