bible-3524065_960_720aem.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra e Jakobit, por e cilit Jakob?

Luterit i pëlqente të mburrej, duke thënë se me Letrën e Jakobit ndizte zjarrin në oxhak! E me të vërtetë, historia e kësaj “Letre prej kashte” është mjaft e trazuar; në Bibël është e para nga shtatë Letrat “katolike” të Besëlidhjes së Re (pra, “universale”, sepse i drejtohet jo vetëm një bashkësie, por të gjithë besimtarëve), por është përfshirë në të e fundit. Pikërisht Letrën e Jakobit do të fillojmë të shqyrtojmë sot, sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Që në fillim mësojmë me siguri emrin e autorit, Jakobit. Por cilit Jakob?

          Emri është tejet i përdorur në Besëlidhjen e Re. Kemi, së pari, Jakobin, që quhet “I Madhi”, vëllai i shën Gjonit ungjilltar, që u vra nga Herodi rreth vitit 44. Pastaj, kemi një apostull tjetër me atë emër: Jakobi i Alfeut, por në përshëndetjet e Letrës, krah emrit të Jakobit, mungon titulli i apostullit. Një hollësi jo pak e rëndësishme:

          “Jakobi, shërbëtori i Hyjit dhe i Jezu Krishtit Zot: dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anë e kënd nëpër botë: shëndet” (Jak 1,1).

          Kush është pra, autori i kësaj Letre? Pjesa më e madhe e studiuesve mendon se kemi të bëjmë me njërin prej katër “vëllezërve” a kushërinjve të Jezusit, që përmenden në Ungjillin sipas Markut (6,3) – Jakobi, Jozeti, Juda e Simoni – i cili mori një pozitë të rëndësishme në bashkësinë e parë të Jeruzalemit. Thirrej pikërisht “vëllai i Zotërisë”, e për të nuk mungojnë lajmet. Euzebi, në librin e tij “Historia e Kishës” (shekulli IV), shkruan se Jakobi ishte ipeshkvi i parë i Jeruzalemit!

          E nëse marrim parasysh traditën jashtë Biblës, gjejmë hollësi gati legjendare. Sipas historianit Jozef Flavio (shekulli I), kryeprifti Anania II, për të kënaqur mizorinë e vet, e dënoi me vdekje me gurë në vitin 62, ndërsa sipas Egesippo-s (shekulli II), Jakobi duhet të ketë qenë një asket i bindur, të cilin e hodhën poshtë nga maja e tempullit. Trupi i tij u varros aty ku ra, pranë tempullit.

          Në Besëlidhjen e Re, figura e tij zë një vend të rëndësishëm. Shën Pali u shkruan galatasve se, pas kthimit të tij në udhën e Krishtit, përveç Pjetrit nuk pa asnjë apostull tjetër, me përjashtim të Jakobit, “vëllait të Zotërisë”. E kur flet për besueshmërinë e Ungjillit që predikon, thotë se ka marrë bekimin e “shtyllave” të Kishës, e para nga të cilat nuk është Pjetri, por Jakobi:

          “Duke njohur hirin që më qe dhënë, Jakobi, Kefa e Gjoni - që çmohen shtyllat e fesë - na i shtrinë të djathtat e veta, mua dhe Barnabës, në shenjë të bashkësisë, kështu që ne të shkonim ndër paganë e ata ndër të rrethprerë” (Gal 2,9).

          Sipas tregimit në Veprat e Apostujve, vetë Pjetri, që sapo ishte arratisur nga burgu, për mrekulli të Tënzot, rrëfen ngjarjen dhe shpejton të kërkojë që për gjithçka të njoftohej Jakobi. Edhe në Ungjillin apokrif të Tomës lexojmë: “Dishepujt i thanë Jezusit: ‘E dimë se do të largohesh prej nesh. Pas Teje, kush do të na udhëheqë?’ Jezusi iu përgjigj: ‘Kur të arrijë ajo kohë do të shkoni tek Jakobi, i Drejti, të cilit i takojnë gjërat, që kanë të bëjnë me qiellin e me tokën’”.

          Pra, afërmendsh, Jakobi i Drejti, vëllai i Zotërisë, mund të jetë autori i kësaj Letre, e cila, e vetme, na bën të hyjmë brenda një Kishe, asaj judeo-kristiane, që bashkë me Ungjillin e Krishtit respektonte edhe rregullat e ligjit të Moisiut. Një Kishë e destinuar të përballonte shkatërrimin e tempullit në vitin 70, kur të krishterët e Jeruzalemit u strehuan në Pela të Jordanisë, duke mbetur një pakicë e vogël në një bashkësi të krishterë, që vijonte të rritej vetëm ndër paganë. Takimi i ardhshëm me Letrën e Jakobit, të enjten e javës që vjen, gjithnjë në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës”.

10 shtator 2020, 08:16