DSC_0580.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra drejtuar Hebrenjve: Meshtari besnik e i mëshirshëm

Sot, emisioni i fundit kushtuar Letrës drejtuar Hebrenjve. Në vend të komenteve, po ju ofrojmë disa pjesë nga ky monument teologjik, tekste, që kompozojnë një himn të vërtetë, më i bukuri i Besëlidhjes së Re. Po e quajmë “Meshtari besnik e i mëshirshëm”, siç e quan edhe meshtari italian don Federico Tartaglia, librin e të cilit, “Është ora e leximit të Biblës”, po ndjekim për këtë rubrikë.

R.SH. - Vatikan

Mbasi Hyji herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë. Biri, që është bredhja e Lavdisë dhe vula e qenies së Hyit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenj në të djathtën e Madhërisë në qiell; u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin! (Heb 1,1-4)

 Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve. Dhe, vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij - ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër. (Heb 2,9-11)

Dhe, mbasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtar në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes - d.m.th. djallin, për t’i çliruar ata që ishin të nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes. Sepse Ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit. Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit në mënyrë që t’i shpërblente mëkatet e popullit. Dhe, vërtet, shi pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’u ndihmojë atyre që janë në sprovë. (Heb 2,14-18)

  Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar, i shpallur prej Hyjit Kryeprift “në mënyrë të Melkizedekut”. (Heb 5,7-10)

Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt. (Heb 7,26)

 [Krishti], nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar. Dhe njëmend, në qoftë se gjaku i stërpikur i cjepve dhe i mëzetërve dhe hiri i mështjerrës i shenjtëron të papastrit duke ua pastruar ritualisht trupin, sa më tepër Gjaku i Krishtit - i cili nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë - do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Hyjit të gjallë! Për këtë arsye Ai është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që - me anë të vdekjes për shpërblim të fajeve të bëra në kohën e Besëlidhjes së parë - të grishurit ta fitojnë trashëgimin e premtuar të përjetshëm. (Heb 9,12-15)

 U dëftua një herë të vetme - në mbarimin e kohës - për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes. (Heb 9,26)

Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to! Pra, o vëllezër, duke pasur hyrje të lirë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve në fuqi të gjakut të Jezusit, nëpër këtë rrugë të re dhe të gjallë që na e hapi Krishti me anë të tisit, që është korpi i tij; dhe duke pasur një Prift të shkëlqyeshëm në krye të Shtëpisë së Hyjit: t’i afrohemi me zemër të çiltër, me fe të plotë… Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës, sepse Ai që i dha premtimet është besnik. (Heb 10,18-23)

Feja është një mënyrë për të pasur sendet që shpresohen, mjet për të njohur sendet që nuk shihen. (Heb 11,1)

 Këndej, pra, edhe ne… ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin. (Heb 12,1-2)

Ju i jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit - Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit - Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit. Kini kujdes të mos e përbuzni Atë që ju flet! Sepse, në qoftë se nuk mund gjetën shpëtim ata që nuk deshën ta dëgjojnë atë që jepte urdhra mbi dhe, aq më pak do të mund të shpëtojmë ne në qoftë se nuk e dëgjojmë Atë që flet nga qielli. (Heb 12,22-25)

E Hyji, burimi i paqes, që e nxori lart nga të vdekurit me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar Bariun e madh të deleve, - Zotin tonë Jezusin, ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë që ta kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë në ne çka Atij i pëlqen, nëpër Jezu Krishtin, të cilit i qoftë lavdia në shekuj [të shekujve].

Amen. (Heb 13,20-21)

03 shtator 2020, 08:21