Kërko

Vatican News
2019.09.07 Natività della Beata Vergine Maria 2019.09.07 Natività della Beata Vergine Maria 

Më 8 shtator Kisha katolike kremton lindjen e Shën Marisë Virgjër

E kremtja e madhe e të Lindurit të Virgjërës Mari, Zojës së Papërlyer pohon se Zoti ka vënë në të burimet e jetës, Ajo është e zgjedhura mbi të gjitha gratë. Jezu Krishti është mishëruar në kraharorin virgjëror të një vajze, në një vend të vogël të Galilesë; ka lindur në Betlehem, në një vend të thjeshtë të Judesë, e në shtëpinë e varfër të Nazaretit është rritur duke vënë themelet e misionit shpëtimtar për çdo njeri e popull. Kjo festë që shënon fillimin e shëlbimit tonë, na sjelltë bashkimin e paqen me ndërmjetësinë e Vashës së Nazaretit.

R.SH. - Vatikan

Me 8 shtator Kisha katolike e ritit romak kremton festën e Lindjes të së Lumes Mari Virgjër. Tradita e kësaj feste lindi në shekujt e parë në Lindje dhe ishte Papa Sergji I, në shekullin e VII, ai që e shtini këtë festë në kalendarin liturgjik të Kishës. Me përkujtimin e kësaj feste, që tradita kishtare e njeh me emrin “Të lindurit e Zojës”, kremtojmë ditëlindjen e Virgjërës Mari, Nënës së Tënzot, në kraharorin e së cilës u mishërua Jezu Krishti.

Burimi kryesor i zanafillës së kësaj feste gjendet në Ungjillin apokrif të shekullit të II e këndej ka një traditë shumë të lashtë. Joakimi e Ana ishin të shtyrë në moshë, nuk arrijnë të kenë fëmijë e atëherë Joakimi ankohet tek Zoti, i cili i kumton se do të ketë një foshnje, një vajzë. Ky është tregimi që kemi në Ungjillin e Jakobit. Maria pastaj edukohet në tempull të Jerusalemit e pikërisht afër këtij tempulli, në Mesjetë, kryqtarët kanë ndërtuar njërën nga bazilikat më të bukura të Tokës së Shenjtë, pikërisht në përkujtim të Lindjes së Virgjërës Mari.

Lindja e Virgjërës Mari lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me ardhjen e Mesisë, si premtim, përgatitje dhe fryt i shëlbimit. Agim që i paraprin diellit të drejtësisë, Maria i paralajmëron mbarë botës gëzimin e lindjes së Shëlbuesit. Është, prandaj, guri i kufirit ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re. Errësira e natës tërhiqet, ndërsa nis të duket agimi i ditës së re, që na sjell lirinë në vend të robërisë së ligjit të vjetër. Gjithë krijesa këndon nga gëzimi i kësaj dite, njerëz e engjëj bashkohen për të marrë pjesë në kremtimin e liturgjisë së sotme. Është dita në të cilën Krijuesi i gjithësisë ndërtoi tempullin e vet, dita në të cilën, përmes një projekti të mrekullueshëm, krijesa bëhet banesë e zgjedhur e Krijuesit.

Krishterimi me emërtime të ndryshme e nderon Virgjërën Mari dhe Atë ia paraqet besimtarëve si shembull e shkollë feje (besimi), shërbimi e përkushtimi ndaj Zotit e ndaj të afërmit. Pse? Sepse “Virgjëra Mari është shenjtërorja e gjallë e Fjalës së Zotit, Arka e Besëlidhjes së Re dhe të amshuar.” Koncili Kishtar i Efezit (viti 431) në fakt e pohoi amësinë hyjnore të Marisë duke e quajtur Theotókos, sepse prej Saj lindi Fjala, falë Saj u bë njeri Biri i Zotit, që jetoi mes nesh.

E duke mbërritur përmes shekujsh tek Koncili II Ekumenik i Vatikanit vëmë re se në këtë Koncil Maria u shpall “fytyrë e Kishës e shembull i shkëlqyer i besimit dhe i dashurisë”, duke nënvizuar kështu në mënyrë të veçantë qenien e saj shembull për Kishën. “Kisha, gjatë gjithë jetës së saj, e mban me Nënën e Zotit një lidhje që në misterin e shpëtimit, rrok të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe e nderon si nënë shpirtërore të njerëzimit dhe ndërmjetësuese hiresh Hyjnore”. Festa mariane janë shtylla të vërteta të kumtimit të Krishtit. E në fakt Maria jo vetëm që na ka dhuruar Krishtin Zot, por edhe sot na drejton tek Ai nëpërmjet shembullit të Saj dhe mesazhit të Saj, duke na dhënë zemër edhe një herë tjetër kështu: “Bëni atë që ju thotë.” si pati bërë në Kanë të Galilesë.

E kremtja e madhe e të Lindurit të Virgjërës Mari, Zojës së Papërlyer pohon se Zoti ka vënë në të burimet e jetës, Ajo është e zgjedhura mbi të gjitha gratë. Jezu Krishti është mishëruar në kraharorin virgjëror të një vajze, në një vend të vogël të Galilesë; ka lindur në Betlehem, në një vend të thjeshtë të Judesë, e në shtëpinë e varfër të Nazaretit është rritur duke vënë themelet e misionit shpëtimtar për çdo njeri e popull. Kjo festë që shënon fillimin e shëlbimit tonë, na sjelltë bashkimin e paqen me ndërmjetësinë e Vashës së Nazaretit.

08 shtator 2020, 09:31