2019.09.30 San Girolamo -o Gerolamo- Sacerdote e dottore della Chiesa 2019.09.30 San Girolamo -o Gerolamo- Sacerdote e dottore della Chiesa 

Më 30 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës

Shën Jeronimi, At i Kishës, një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit kostandinian, ia kushtoi gjithë jetën Biblës: e përktheu, e komentoi e mbi të gjitha, u përpoq ta jetonte konkretisht, megjithëse njihej mirë si njeri me karakter të vështirë e me temperament të zjarrtë.

R.SH. - Vatikan

Më 30 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës. Një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit kostandinian, Shën Jeronimi qe polemist i mprehtë, skripturist i thellë dhe punëtor i palodhshëm.

Lindi në Stridon të Dalmacisë ilire rreth vitit 347 në një familje të krishterë. Që në fëmijëri u dallua për karakter të pavarur e të pasionuar si edhe për kujtesë e inteligjencë të jashtëzakonshme. U pajis me kulturën më të lartë klasike të kohës dhe u thellua në studimin e Shkrimit Shenjt sipas tekstit grek. Talentin e vet e vuri në shërbim të papës Damazi, i cili e ngarkoi me detyrën të përkthente latinisht tekstet origjinale të Shkrimit Shenjt, në mënyrë që besimtarët t'i kuptonin sa më mirë gjatë kremtimeve liturgjike. Më pas u tërhoq në Betlehem, ku u dha pas pendesës, lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit e studimit të gjuhëve lindore, të aramaishtes e hebraishtes së vjetër.

Shën Jeronimi e kuptoi se të mos e njohësh Shkrimin Shenjt do të thotë të mos njohësh Krishtin. Nisi, prandaj, të përkthejë krejt Besëlidhjen e Vjetër e të Re nga tekstet origjinale, bashkë me komentet përkatëse, fryt i mendjes dhe i kulturës së tij. Kështu doli në dritë “Vulgata” e cila ende sot, mbas gati 20 shekujsh, përdoret në liturgjí të Kishës. Shën Jeronimi vdiq në Betlehem të Palestinës më 30 shtator të vitit 420, duke përsëritur lutjen që ia kishte drejtuar vazhdimisht Zotit: "Më fal, o Zot, se jam dalmat". Kërkonte falje për temperamentin e tij kolerik, që e kishte bërë shpesh të humbiste kontrollin mbi vetveten. Kishës, të cilën e kishte dashur aq shumë, i la trashëgim thesarin e pallogaritshëm të veprave të tija.

Shën Jeronimit,  është At i Kishës, që përktheu në latinisht Biblën. Jeronimi ishte vërtetë njeri i dashuruar me Fjalën e Zotit. Në festën e tij edhe ne jemi të ftuar të ecim në gjurmët e tij dhe ta lexojnë e meditojmë Biblën,  Fjalën e Hyjit, duke rikujtuar fjalët e Jeronimit: “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”. “Bibla pra, është mjeti me të cilin Hyji u flet çdo ditë besimtarëve” (Ep. 133, 13), bëhet kështu nxitje e burim i jetës së krishterë në çdo situatë e për çdo njeri. Të lexosh Shkrimin Shenjt - Biblën do të thotë të flasësh me Hyjin: “Në se lutesh – i shkruan Shën Jeronimi një vashe fisnike romake – ti flet me Dhëndrin; në se lexon, është ai që të flet”. (Ep. 22, 25). Studimi e meditimi i Biblës e bëjnë njeriun të urtë e paqësor. (krh In Eph., prol).

Po për ta kuptuar Biblën duhen pasur parasysh dy kritere themelore që janë: së pari: “Vetëm fryma e thellë e lutjes dhe ndihma e Shpirtit Shenjt Zot mund të të ndihmojnë për ta kuptuar Biblën, sepse në interpretimin e Shkrimit Shenjt ne kemi gjithmonë nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt (Në Mich. 1, 1, 10, 15)”. Kriteri i dytë i interpretimit të Fjalës së Zotit është përkimi me magjisterin e Kishës, do të thotë me mësimet zyrtare të Kishës: Nuk mund ta lexojmë kurrë Biblën të vetëm. Gjejmë shumë porta të mbyllura e shkasim lehtësisht në gabim. Bibla u shkrua nga Populli i Hyjit e për popullin e Hyjit, frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Vetëm përmes këtij bashkimi me Popullin e Hyjit mund të hyjmë me gjithë vetveten në bërthamën e së vërtetës, të cilën dëshiron të na e thotë vetë Zoti.

Për shën Jeronimin, interpretimi i Biblës duhet të jetë gjithnjë në pajtim të harmonishëm me fenë e Kishës katolike. Shën Jeronimi nuk e shpërfilli kurrë aspektin etik, do të thotë detyrën e koherencës së krishterë për ta jetuar Fjalën e Zotit, që duhet ta kenë parasysh të gjithë besimtarët e , në mënyrë të posaçme, predikatarët: “Kështu nxit meshtari Nepoçian: ‘Veprat tua nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh në Kishë, ndokush të thotë me vete: ‘Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm vërtetë ky mësues që, si e ka mbushur mirë barkun, të mëson si të agjërosh; edhe një hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë ashtu si mendon e si jeton”. (Ep. 52, 7).

E kjo koherencë duhet të shndërrohet në vepra dashurie të krishterë sepse – siç thoshte Shën Jeronimi – Jezu Krishti është i pranishëm në çdo qenie njerëzore. “Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar, në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi është konkret e na mëson: duhet ta veshim Krishtin në të varfrit, ta vizitojmë në të munduarit, ta ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë.

Sot, përmes Shën Jeronimit, kujtojmë nevojën e edukimit të njeriut, si në aspektin kulturor, ashtu edhe atë fetar e moral . Sepse pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit të njeriut në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është kushti i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të dhunës. E është Shkrimi Shenjt, Bibla që na prin drejt realizimit të edukimit para Hyjit e para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit.

30 shtator 2020, 09:49