Kërko

2019.09.28 Santi Arcangeli Michele, Gabriele e Raffaele 2019.09.28 Santi Arcangeli Michele, Gabriele e Raffaele 

Më 29 shtator kalendari kishtar përkujton Kryeengjëjt: Mëhillin, Gabrielin e Rafaelin

Në festën e Shenjtorëve Kryeengjëj, Mëhillit (Mikelit), Rafaelit e Gabrielit, Kisha kujton se secili prej tyre ka një mision të posaçëm në historinë e shëlbimit. Ta kërkojmë me besim ndihmën e tyre, si dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës. Prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast.

R.SH. - Vatikan

Sot me 29 shtator Kisha katolike përkujtoi tre Kryeengjëjt:  Mëhillin (Mikelin) 'ai që ndihmon', Gabrielin 'ai që mbron' e Rafaelin 'ai që shëron', për të cilët flitet qartë në Shkrimin Shenjt, Bibël, ku shënohen edhe detyrat që kryejnë: Kryeengjëlli Mikel është kryetari i aradheve qiellore; Gabrieli është lajmëtar e Rafaeli, prijës i shtegtarëve. Kulti i kryeengjëllit Mikel apo Mihill fillon që në shekujt e parë të historisë së krishterimit.

Perandori Kostandini ngriti për nder të tij një shenjtërore në bregun e Bosforit, në tokën evropiane, ndërsa Justiniani - një shenjtërore tjetër në bregun e përtejmë. Data 29 shtator na kujton edhe shugurimin e Kishës kushtuar Shën Mikelit në shekullin V, në rrugën romake Salaria. Kremtimi i kësaj feste u përhap me shpejtësi si në lindje, ashtu edhe në perëndim. Në Romë iu kushtua mauzoleu i famshëm i Adrianit, i cili njihet prej kohe me emrin Kështjella e Shën Engjëllit.

Me njërin nga Kryeengjëjt, e pikërisht me Kryeengjëllin Gabriel, lidhet ngushtë edhe Radioja e Vatikanit e përgjithësisht, puna jonë si lajmëtarë të Ungjillit përmes valëve të eterit: Kryeengjëlli Gabriel, që i dha Virgjërës Mari lajmin e madh të shëlbimit, duke u bërë kështu i pari komunikator - pa mikrofon e pa internet - mjete për të cilat Kryeengjëjt s’kanë fare nevojë, natyrisht - është Pajtori ynë qiellor dhe i të gjithë atyre që janë të impenjuar në fushën aq të rëndësishme të komunikimit.

Duke marrë shtytjen nga festa e sotme e Shenjtorëve Kryeengjëj, Mikelit, Rafaelit e Gabrielit, Kisha kujton se secili prej tyre ka një mision të posaçëm në historinë e shëlbimit. Ta kërkojmë me besim ndihmën e tyre, si dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës. Prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast.

Shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta. Engjëjt dërgohen nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor. Kujtojmë se emrat Mikel, Gabriel e Rafael janë smjaft të përhapur ndër shqiptarë, madje Shën Mikeli, është i njohur edhe si Shën Mhilli.

29 shtator 2020, 09:44