Kërko

Volto di Gesù Cristo, particolare della Trinità di Masaccio  Volto di Gesù Cristo, particolare della Trinità di Masaccio  

Kisha më 14 shtator kremton solemnitetin e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë

Kisha na fton ta vështrojmë Kryqin, mbi të cilin Biri i Zotit - Jezu Krishti ka vdekur për shpëtimin tonë. Kryqi është përgjigja e Zotit ndaj së keqes e ndaj mëkatit të njeriut. Është përgjigje e dashurisë, e mëshirës dhe e faljes. T’ia tregojmë këtë Kryq të Krishtit botës e ta përlëvdojmë në zemrat tona, në familjet tona e në komunitet tona.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike më 14 shtator kremton solemnitetin e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë. Në ditën e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë ne e shikojmë Kryqin e Jezu Krishtit si lavdi e simbol shëlbimi, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumturisë së qiellit, jetës së amshuar. Prandaj, Kisha na fton ta vështrojmë Kryqin, mbi të cilin Biri i Zotit  - Jezu Krishti ka vdekur për shpëtimin tonë. Kryqi, pra, është përgjigja e Zotit ndaj së keqes e ndaj mëkatit të njeriut. Është përgjigje e dashurisë, e mëshirës dhe e faljes. T’ia tregojmë këtë Kryq botës e ta përlëvdojmë në zemrat tona, në familjet tona e në komunitet tona.

Gjetja e Kryqit të Krishtit nga shën Helena

14 shtatori është përvjetori i gjetjes së Kryqit të vërtetë të Krishtit nga ana e shën Helenës, nënës së perandorit romak Kostandini, në vitin 320, si edhe përvjetori i shugurimit të kishës së Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, në vitin 335. Sipas traditës, shën Helena pati sjellë një pjesë të Kryqit në Romë, në atë, që më pas, do të bëhej Bazilika e Shën Kryqit në Jeruzalem. Pjesa tjetër mbeti në Jeruzalem, marrë nga persianët në vitin 614 e çuar më vonë, tirumfalisht, sërish në Qytetin e Shenjtë.

Zanafilla e festës në Jerusalem

Kjo festë që e ka zanafillën në Jerusalem, ku për herë të parë u kremtua më 14 shtator të vitit 335, me rastin e “Kryqit” mbi Golgotë, dhe atë të “Anàstasis”, do të thotë të “Ringjalljes”. Kjo festë kaloi në Perëndim, duke u nisura nga shekulli VII, e donte të përkujtonte rikuperimin e relikës së çmuar bërë nga perandori Erakliti në vitin 628. Këtë ditë kujtohet edhe shugurimi i ndërtesave e tempujve të ngritura nga Perandori Kostandini për të mbrojtur e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e Vdekjes e të Ngjalljes.

Përtej të dhënave historike e legjendare

Kremtimi i sotëm shkon përtej të dhënave historike e atyre legjendare e merr një domethënie shpirtërore e fetare jashtëzakonisht të thellë e të lartë. Lavdërimi i Krishtit kalon përmes mundimeve të kryqit e antiteza vuajtje-glorifikim bëhet themelore për historinë e Shëlbimit: Krishti, mishëruar në realitetin e tij konkret njerëzor-hyjnor, i nënshtrohet vullnetarisht kushteve përvujtëruese të skllavit (kryq, nga latinishtja “crux”, do të thotë torturë, i rezervohej skllevërve) e vuajtja e tmerrshme shndërrohet në lavdi të përjetshme. Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë, misterin e Krishtit të kryqëzuar, këndej mbi misterin e Kryqit të Shenjtë të Shëlbuesit të njerëzimit. 

Zoti në këtë botë nuk bën konkurrencë me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, Ai vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit.

Krishti hyri në botë me kryq - simbol shëlbimi

Kryqi është simboli i shpërblimit e i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit. Në ditën e festës së Ekzaltimit të Kryqit të Shenjtë të Krishtit, ne e shikojmë Kryqin si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”, dhe një tjetër pohim i Palit gjithnjë në Letrën drejtuar Galatasve: “Ne mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit: në të e kemi shpëtimin, jetën dhe ngjalljen tonë; në saje të tij kemi qenë shpëtuar e liruar”. Prandaj, të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen.

Kryqi bëhet kështu lavdi

Zoti lumturohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit. Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia e festës Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Është nder për ne të mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit sepse në të e kemi shëlbimin, jetën dhe ngjalljen tonë, në sajë të tij kemi qenë shëlbuar e liruar!”, dhe “Kryq i lavdishëm, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Kryqit.

Kryqi shuguruar nga Korpi i Krishtit

Të falem, o Kryq, i shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”. I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë. Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij. Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur.    

Je ti, o Zot Jezu Krisht, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezus Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe personat. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na është dhënë të gjithëve jeta e amshuar.

14 shtator 2020, 09:41