framiljenko3.jpg

Vizitatori apostolik për Medjugorje-n: pas 40 vitesh, gjendja po përmirësohet

Vizitatori apostolik i veçantë për famullinë e Medjugorje-s, imzot Henryk Hoser, duke folur për Festivalin tradicional të të rinjve “Mladifest”, i cili mbahet nga 1 deri më 6 gusht, nënvizoi se, pas 40 vitesh me debate e kundërshti, gjendja në vend po përmirësohet.

R.SH. - Vatikan

“Ka 40 vite, që vijojnë polemikat mbi Medjugorje-n, përsa u përket dukjeve të Zojës, por edhe veprimtarive baritore”. Këtë pohoi imzot Henryk Hoser, vizitator i veçantë apostolik në famullinë e Medjugorje-s, gjatë konferencës për shtyp, e cila përuroi Festivalin tradicional të të rinjve “Mladifest”, filluar më 1 gusht. Kujtojmë se Festivali përfundon nesër, më 6 gusht.

          Ai vuri në dukje se “disa janë përkrahës të zjarrtë të Medjugorje-s, të tjerë janë kundër saj”, por vetë imzot Hoser i fton të gjithë të vijnë personalisht për të parë ç’ndodh në atë vend, në mënyrë që të mund të dëshmojnë për të. Kryeipeshkvi nënvizoi se “që nga maji i vitit 2019, kur nuk iu ndalua më meshtarëve dhe ipeshkvijve të organizonin shtegtime, kanë ardhur shumë kardinaj, ipeshkvij dhe kryeipeshkvij, por fatkeqësisht, pandemia e ndërpreu gjithçka”.

          “Nuk e dimë sa njerëz mund të vijnë tani – pohoi imzot Hoser, - sa do të jenë në gjendje të kalojnë kufirin me testin e koronavirusit, që vërteton shëndetin e tyre të mirë”. Sipas vizitatorit apostolik, në detyrë prej dy vitesh, “trajtimi që i bën Selia e Shenjtë Medjugorje-s është shumë i mirë dhe pozitiv e Kisha po vepron me qetësi dhe hap pas hapi”. “Faktikisht, Medjugorje është ‘shenjtërore ndërkombëtare’, por nga pikpamja ligjore, jemi akoma vetëm famulli dhe nuk e kemi titullin e shenjtërores, as kombëtare, as ndërkombëtare”.

          Sipas mendimit të tij, “gjendja po përmirësohet vazhdimisht” e provë e kësaj është vetë prania e vizitatorit. Në këtë përmirësim do të kontribuojë edhe ipeshkvi i ri i Mostarit, imzot Petar Palic. Vërtet, Medjugorje i përket territorit të dioqezës Mostar-Duvno. Pavarësisht nga pandemia, këtë vit u mblodhën shumë të rinj për Festivalin e tyre me moton “Ejani e shikoni” (Gjn 1,39). Erdhën edhe shumë vetë nga vende të tjera të Evropës, për ta ndierë atmosferën shpirtërore, që përjetohet në këtë kënd të veçantë të Bosnjë-Hercegovinës. Këtë vit, Papa Françesku dërgoi një mesazh, me të cilin i ftoi të rinjtë “të vrapojnë drejt Jezusit, me ndihmën e Shpirtit Shenjt. Ta kërkojnë. T’i besojnë. E ta dëshmojnë!”

05 gusht 2020, 11:42