Pushimet verore pёr trup e pёr shpirt
R.SH. - Vatikan
Vera është kohë kur njerëzit, që punojnë gjatë gjithë vitit, me tё gjitha vёshtirёsitё qё sivjet solli koronavirusi, nisin një periudhë, të shkurtër a të gjatë, pushimesh. Madje edhe veprimtaritë baritore të famullive kishtare bëhen më të rralla. E megjithatë, vera duhet shikuar si kohë e mbarë për të thelluar takimin me Fjalën e Zotit.
Një çast i favorshëm, pra, për ta vënë në vend të parë atë, që është më e rëndësishme në jetë, domethënë dëgjimin e Fjalës së Zotit. Na e kujton edhe Ungjilli i Lukёs 10,38-42 , me episodin e mirënjohur të vizitës së Jezusit në shtëpinë e Martës e të Marisë.
Fjala e Krishtit, është tejet e qartë. Asnjë përbuzje për jetën aktive, aq më pak për mikpritjen bujare; thjesht, kujtohet se tjetër gjë është vërtet e nevojshme: të dëgjosh Fjalën e Zotit; e Zoti atë çast është aty, i pranishëm, është Jezusi vetë. Gjithçka tjetër do të kalojë, do të merret, por Fjala e Zotit është e amshuar dhe i jep kuptim të gjitha ngjarjeve të jetës së përditshme.
Pjesa ungjillore e vizitës së Jezusit në shtëpinë e Martës e të Marisë, tingëllon posaçërisht aktuale në këtë kohë pushimesh, na kujton se njeriu vërtet duhet të punojë, të impenjohet në punët shtëpiake e profesionale, por mbi të gjitha ka nevojë për Zotin, që është drita shpirtërore e Dashurisë dhe e Vërtetësisë.
Jeta njerëzore duhet të ketë një farë kuptimi, përndryshe gjithçka do të dukej e do të ishte e zbrazët, e kotë, pa domethënie, me një fund tragjik. Pa një domethënie të thellë, gjithçka bëjmë s’është tjetër, veçse aktivizëm i shterpët e i çrregullt. E kush mund të na e dhurojë Dashurinë e Vërtetësinë, përveç Jezusit? Të mësojmë, prandaj, të dashur vëllezër, për ta ndihmuar njëri-tjetrin, të bashkëpunojmë, por para së gjithash, të zgjedhim së bashku pjesën më të mirë, që do të jetë përgjithmonë pasuria jonë më e madhe.
Prandaj Kisha nënvizoi se kush përbun Zotin, kush ia hap portat e jetës së vet, merr pasuri të pallogaritshme. Zoti dëshiron të vijë tek ne e të na dhurojë Fjalën e Tij të gjallë, praninë e Tij e miqësinë e Tij. Mos t’ia mbyllim portat, dhuratës së dashurisë së Hyjit, por ta lëmë të na shndërrojë, që të mundemi, kështu, të bashkëpunojmë me Mbretërinë e Tij të paqes e të drejtësisë.
Nëse të pushosh do të thotë të ndërpresësh detyrat e të drejtat, ligjet e Zotit e ligjet e Kishës, sigurisht që pushimet nuk janë në përkim me jetën e krishterë. Por nëse pushimi kuptohet si kohë që ia kushtojmë vetvetes, që e kalojmë në një mjedis natyror, i cili e bën edhe më të bukur komunikimin me veten, me të tjerët e sidomos me Zotin, atëherë ‘rroftë pushimi’! Në bukurinë e natyrës shihet dora e Zotit.