01474_29062019.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXII të vitit liturgjik

Në Ungjillin e sotëm – e diela XXII e vitit liturgjik A – Jezu Krishti paralajmëron vdekjen e vet. Gjithashtu, i fton të gjithë, atëherë e sot, të marrin secili kryqin e vet e të shkojnë pas Tij, nëse duan vërtet të ecin në gjurmët e Birit të Zotit. Por, ja pjesa ungjillore, marrë nga kreu 16 i shën Mateut:

R.SH. - Vatikan

21 Qysh atëherë Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet. 22 Atëherë Pjetri e ndau veças e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!” 23 Jezusi u kthye e i tha Pjetrit: “Shporru meje, he djallë! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!” 24 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! 25 Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë. 26 Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet? 27 Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.

Të lutemi së bashku:

Është kaq e lehtë, o Jezus,

të mendojmë se i njohim udhët e Tua,

të pretendojmë se e dimë tashmë

shtegun për ku do të na çosh

ç’vendim do të marrësh.

Kështu i ndodhi Pjetrit, atë ditë,

krejt i entuziazmuar

pasi të njohu si Mesi,

dëgjoi se e thirre “djall”, pra, pengesë,

barrierë me Mbretërinë e Zotit, me planin e Hyjit.

I ndodh vazhdimisht edhe secilit prej nesh

sa herë që i ngatërrojmë

synimet e Tua me tonat,

vendimet e Tua me tonat,

e – sikur të mos mjaftonte – ndiejmë tmerr

para vuajtjes, para kryqit,

e ka rrezik ta humbasim jetën.

Megjithatë, Ty nuk të bën përshtypje

pasiguria jonë:

vërtet, synimet e Hyjit

realizohen në mënyrë të çuditshme për ne.

Në varfëri, pa mjete të jashtëzakonshme,

në brishtësi, pa treguar forcë e pushtet,

në heshtje e pa u dukur, jo nën dritat e skenës historike

duke e humbur jetën, jo duke e mbajtur shtrënguar

për ta ruajtur kështu, nga çdo rrezik.

 

29 gusht 2020, 08:46