donna-cananeaAEM.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XX të vitit liturgjik

Feja e gruas kananease është në qendër të Ungjillit të sotëm, në të dielën XX të vitit liturgjik. Jezu Krishti erdhi për delet e humbura të shtëpisë së Izraelit, siç thotë vetë, por besimi i vërtetë në Të, zgjon dhembshurinë e Birit të Zotit e ai e shpëton çdo njeri me fe të gjallë. Ja pjesa ungjillore, marrë nga kreu 15 i shën Mateut...

R.SH. - Vatikan

21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtasë e të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!” 24 Ai u përgjigj: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. 25 Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” 26 Jezusi iu përgjigj: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve”. 27 “Po, o Zot - shtoi ajo - se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre”. 28 Atëherë Jezusi iu përgjigj: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment u shërua bija e saj.

Të lutemi së bashku:

O Jezus, ti e vure në provë atë grua

e do t’i jesh dukur jashtëzakonisht i ashpër.

Por ajo nuk hoqi dorë

nga kërkesa e saj, nga lutja e saj

e feja e kësaj gruaje, e guximshme dhe e vendosur,

më në fund, fitoi.

Po o Jezus, ka ditë e çaste

kur edhe unë provoj

vështirësi, që duken të pakapërcyeshme.

Me dhemb zemra nga heshtja jote,

më provokojnë fjalët e tua kërkuese,

gati, kam përshtypjen

se s’vlej asgjë në sytë e tu,

se nuk jam i denjë për praninë tënde,

për mëshirën e dhembshurinë tënde,

sikur ti të ishe bërë

i pandjeshëm për travajët e mia.

Por ti, o Jezus, nuk më lë vetëm:

më kërkon të eci përpara,

të mos lodhem, të vazhdoj të pyes,

të kërkoj, të lutem,

nëse duhet, edhe duke përplasur këmbët.

Në britmën time, ti e kupton

besimin që kam në ty,

pavarësisht nga dyshimet,

pavarësisht nga mëkatet,

pavarësisht nga brishtësitë e shpirtit.

E shpesh, më jep një përgjigje, që as e prisja.

15 gusht 2020, 08:16