7.-LUGLIO-Moltiplicazione-pani-e-pesci.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XVIII të vitit liturgjik

Ungjilli i sotëm është i mirënjohur. Është fjala për episodin e shumëfishimit të bukëve e të peshqve, me të cilët Jezu Krishti ushqen 5 mijë vetë. Vetëm Zoti mund të dhurojë pa u varfëruar, duke lënë vulën e bujarisë së vet. Ja pjesa ungjillore, marrë nga kreu XIV i shën Mateut...

R.SH. - Vatikan

13 Kur dëgjoi Jezusi, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar - në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij këmbë prej qyteteve. 14 Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurit e tyre. 15 Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë: ‘Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëshoj njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim’. 16 Jezusi u përgjigj: ‘Nuk është nevoja të shkojnë: jepuni ju të hanë!’ 17 Ata iu përgjigjën: ‘S’kemi këtu pos pesë bukë e dy peshq’. 18 Jezusi vijoi: ‘M’i bini këtu!’ 19 Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar. I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës. 20 Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. 21 E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj”.

Të lutemi së bashku:

Ti, o Krisht, di t’i kuptosh

nevojat e vërteta, ç’presin prej Teje

njerëzit që të kërkojnë,

Ti sheh kaq vuajtje e dhimbje

e dëshiron t’u çosh të gjithëve dashurinë Tënde.

Ja pse nuk i lë pa plotësuar kërkesat e turmës:

dëshiron t’i japësh përgjigje etjes së saj për lumturi,

urisë së saj për Zotin

e ta lirosh nga të gjitha të këqijat

që i peshojnë mbi supe

dhe ia mohojnë mundësinë për të shpresuar.

Ti, o Krisht, nuk e injoron lodhjen,

rraskapitjen e trupit e, ndërsa ngop shpirtrat,

i jep përgjigje edhe urisë fizike,

asaj, që e ngre kryet,

duke e kapur ngërç stomakun.

Kështu, u thua të gjithëve

një fjalë, që shndrit e ngushëllon,

por u jep edhe ushqimin për të vijuar udhën,

për të ecur përpara.

Kështu, dëshmon se i merr seriozisht

të gjitha pyetjet tona, të gjitha plagët e shpirtit,

por edhe kërkesat e korpit,

problemet konkrete të jetës së përditshme.

Jo për të na përjashtuar nga përgjegjësitë tona,

për të na zbuluar atë dashuri,

që do të na shoqërojë çdo çast.

01 gusht 2020, 08:20