Kërko

3-Vangelo--Gesu-calma-tempestaAEM.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XIX të vitit liturgjik

Është Jezusi, që ecën mbi ujë, protagonisti i pjesës së sotme ungjillore, marrë nga shën Mateu. Në këtë të diel XIX të vitit liturgjik A, Krishti na nxit të gjithëve të besojmë pa kushte në Birin e Zotit, sepse ai është gjithnjë gati të na japë dorën për të na shpëtuar nga çdo vështirësi. Ja pjesa e kreut 14 të Ungjillit sipas Mateut...

R.SH. - Vatikan

22 Mandej aty për aty Jezusi u urdhëroi nxënësve të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndajë popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm. 24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse frynte era e kundërt. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!” 28 Pjetri u përgjigj: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!” 29 “Eja!” - i tha. Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” 31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove!” 32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

Të lutemi së bashku:

Na mjafton pak, o Jezus, për t’u gjetur në vështirësi:

era e kundërt, fillimi i ndonjë turbullire,

e ja që entuziazmi ynë

shuhet menjëherë.

Fillojmë të shqetësohemi, e humbim qetësinë,

e guximi na zhduket.

E kur, rastësisht, na përplaset në fytyrë

një uragan i vërtetë,

kur elementet e natyrës pështjellohen

e valët kërcënohen,

atëherë, ndihemi krejtësisht të humbur.

 

Po, feja jonë është e dobët:

nuk jemi në gjendje të përballojmë konflikte,

të pranojmë vështirësi,

të llogarisim edhe persekutimin.

Sapo duket në horizont ndonjë problem

trishtohemi e ndihemi të izoluar,

Të qahemi se na ke braktisur, o Jezus,

se nuk po kujdesesh për ne.

 

Dyshojmë për dashurinë tënde, për praninë tënde besnike

krah për krah nesh, çdo çast.

Çdo vuajtje na duket

barrë e padrejtë, barrë tepër e rëndë.

 

O Jezus, na e forco këtë fenë tonë të lëkundshme,

na çliro nga trishtimi,

mbaje gjallë flakën e shpresës sonë.

09 gusht 2020, 09:48