Berati  me katedralen e Fjetjes së Marisë Berati me katedralen e Fjetjes së Marisë 

Sot do të shtegtojmë në Kishat e Zojës, nëpër Shqipëri

Duke vijuar “Shtegtimin drejt shenjtëroreve”, nga bota sot kthehemi në Shqipëri. Sepse Maria ishte e do të jetë përgjithëjetë edhe në këto vise, prej nga deshën ta dëbonin shumë herë, qëkur ranë në dorë të pushtuesit otoman… Që nga skajet më të largëta të Veriut, tek ato të Jugut.

R. SH. - Vatikan

Duke shfletuar historinë e Kishës ndër shqiptarë në shekuj, vërejmë menjëherë se besimtarët shqiptarë i kushtuan Zojës kisha e shenjtërore. Kujtojmë  Kishën e Barbullushit, në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit; atë të Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, të Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, të Grudës dhe të fshatit Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, të Letnicës në Karadak dhe të Zymit të Hasit, në Prizren të Kosovës.

Në trevat shqiptare Kishat kushtuar Virgjërës Mari janë dëshmi e identitetit shpirtëror e kombëtar, thesar feje e arti. E po kujtojmë se Shën Maria Virgjër ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë, qysh në fillimet e  predikimit të Ungjillit në trevat tona, në epokën e apostujve. E Kisha e përkujton disa herë figurën e së Lumes Mari Virgjër, siç dëshmojnë festat e kalendarit liturgjik për nder të Nënës Hyjnore, ajo e 15 gushtit dhe e 22 gushtit, për shembull.

Historia e kultit të Zojës ndër shqiptarë

Kulti i Zojës së Bekuar në trojet shqiptare mori hov njëherësh me kultin marian në Evropën përendimore në kulmin e mesjetës. Prej 275 kishave, të regjistruara nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë kushtuar Zojës së Bekuar kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkodër); Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste, Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin).

Këtyre tempujve katolike, kushtuar Zojës së Bekuar ne trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet edhe një numër i madh Kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë vendin. Ndërmjet tyre, Katedralja e famshme e Beratit dhe kisha e Kosinës së Përmetit, kushtuar Fjetjes së Marisë, kisha e Labovës dhe ajo e Gjirokastrës (shek X); Manastiri i famshëm i Ardenicës në Apolloni (Lushnjë) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII); Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa Kisha të tjera, njëlloj të lashta. Mos të harrojmë Kosovën.

Ja si i e përshkruan imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689, duke theksuar edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin për festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në kulmin e verës:

“Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën, me uratë, kangë e valle të përshpirtshme. Mbas mesnate nis procesioni, në të cilin marrin pjesë të krishtênë e myslimanë, me qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon me moshën e atij, që e mban në dorë. Kështu, më qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin kah majet ma të nalta për tri orë rresht. Vetëm myslimanët ngjiten kaluer...”

Në Shqipërinë e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës e i Durrësit. Laheshin ne det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën së Nëna e Krishtit do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjeve, aq të dëshiruara, vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundrën e diktaturës. Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e Shën Mërisë së gushtit flijohej një lopë. Këto e zakone të tjera, të shoqëruara me Meshë solemne, procesione, meditime e lutje në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla edhe sot e kësaj ditë në të gjithë botën e krishterë shqiptare, që këto ditë i bashkon përsëri Zoja e Ngjitur në Qiell”.

Ashtu si i bashkojnë shtegtimet, që vijojnë…

10 gusht 2020, 10:04