Kërko

   Zoja Madhe, në Letnicë të Kosovës Zoja Madhe, në Letnicë të Kosovës 

Shtegtim simbolik në Letnicë – oazë shpirtërore për shtegtarin….

Vijojmë “Shtegtimin, drejt shenjtëroreve”. Sot do ta nisim drejt një kishe shumë të njohur, ku zëri i Zotit i foli Bijës më të madhe të kombit shqiptar, Nënë Terezës… Drejt Zojës së Madhe, në Letnicë…

R. SH. - Vatikan

Nuk ka besimtar katolik shqiptar që të mos e ketë dëgjuar emrin e Shenjtërores së Zojës së Letnicës. Që nuk ka shtegtuar të paktën një herë drejt saj a që nuk dëshiron të shtegtojë. Më bindjen së Zoja e pret. Se, në gjunjë para Saj do të gjejë ngushëllimin, këshillën e mirë, ndihmën e kërkuar.

Nuk është larg Letnica! Eshtë në Kosovë, në kufi me Maqedoninë. E aty është Zoja, aq e dashur për gjithë shqiptarët. Vetëm Ajo mund ta dijë sa lutjet, ndjetet e lotët janë derdhur tek këmbët e Saja. Vetëm Ajo mund ta dijë sa mrekullitë ua ka bërë njerëzve të të gjitha besimeve. Sa Martirë morën forcë për t’i mbetur besnik Birit të Saj, Jezu Krishtit dhe Atdheut. Jo vetëm në të kaluarën, por edhe sot, është kënaqësi t’i shikosh familjet së bashku, duke shtegtuar këmbë tek kjo Nënë e dashur me fëmijë, të rinj e të moshuar, shpesh edhe zbathur, me rruzare në dorë. Vendosëm, prandaj, të bëjmë edhe ne një shtegtim virtual, te Zoja, në Letnicë!

Fshati Letnicë

Të njihemi, së pari, me historinë e fshatit. Emrin e tij disa studiues mundohen ta nxjerrin nga gjuhët sllave - letnikovac që d.m.th vend verimi. Hamendësohet, kështu, se dikur anëtarët e familjes mbretërore të Nemanjiçëve patën një shtëpi në këtë vënd të mrekullueshëm. E besohet edhe se emëri Letnicë vjen nga fjala letnja - lettën, që do thotë gur kali, ose i kaltër. Fshati në fjalë gjëndet rrëzë maleve të Karadakut – Maleve të zeza, në kufi më Maqedoninë, 15 km larg qendrës komunale - Vitisë.

Famullia dhe Kisha

Të dhënat për themelimin e  famullisë së Letnicës janë të mjegullta.  Duke u nisur nga disa pllaka, të gjetura rreth Kishës së vjetër dhe varrezave (vitet 1511-1600), mund të mendohet se edhe para këtyre viteve ka pasur katolikë në këtë vënd dhe ndoshta edhe famulli. Në dokumentet kishtare kjo famulli përmendet si Montenegro, Montenegro di Scopia, Montenegro in Servia.

Kisha e sotme i  kushtohet të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Por dikur nuk ishte kështu. Në vitin 1617 në Letnicë u mbajt një sinod kishtar, e ipeshkvi i atëhershëm, imzot Pjetër Mazreku, shkruan se u mbajt në kishën famullitare të shën Gjergjit. Këtë fakt më vonë na e vërteton edhe arqipeshkvi i Tivarit, imzot Gjergj Bardhi. Ai, në dy sinodet e mbajtura në vitet 1639 dhe 1642, pohon se kisha famullitare në Letnicë i kushtohej shën Gjergjit. Ndërsa në vitin 1671, vizitatori apostolik, Imzot Shtjefën Gaspari, në relacionin dërguar Kongregatës, shkruan së në Letnicë janë dy kisha: kisha famullitare e shën Gjergjit dhe e të Ngjiturit të Zojës në Qiell.
Si u shndërrua kisha e Shën Gjergjit në shenjtëroren e famshme të Letnicës? Si dhe kur u bë ky shndërrim? Burimet historike heshtin. Rrethanat e kohës, pushtimet e egra, tërmetet, zjarret e shumta që shkatërruan objektet, bashkë me arkivat kishtare, na lanë vetëm pak pandehma. Sipas tyre, katolikët e Shkupit, pas disfatës së madhe të ushtrisë austriake, nën udhëheqjen e gjeneralit Pikolomini, në vitin 1690, përkrah të cilit luftuan kundër turqëve duke shpresuar së kishte ardhur koha të liroheshin nga zgjedha otomane, kur braktisën Shkupin, morën me vete edhe truporen e Zojës. U strehuan në fshatin e largët e të fshehur të Letnicës, të sigurt së do t’i shpëtonte nga shpata otomane. Atje ku po nisemi ne sot, për të lënë lutjet e ndjetet tona tek këmbët e Shtatores së Zojës, për të cilën do të flasim në emisionin e ardhshëm. Tek ajo shtatore që  të hap rrugë të mëdha përpara, në shërbim të Krishtit! Nuk duhet të harrojmë se pikërisht këtu nisi rruga që e bëri Ganxhe Bojaxhinë, Shën Nënë Tereza!

Ta nisim, pra, shtegtimin  në Letnicë, te Zoja e Madhe…

10 gusht 2020, 12:33