Kërko

Vatican News
 Kisha e Shëna Ndout në Laç Kisha e Shëna Ndout në Laç 

Shtegtim shprese, në Shenjtëroren e Shëna Ndout, në Laç të Kurbinit

Në rubrikën “Shtegtim ndër shenjtërore” Historia e një Shenjtëroreje, që flet me gojën e gurëve e të mrekullive: Shëna Ndou i Laçit.

R. SH. - Vatikan

Në rubrikën “Shtegtim ndër shenjtërore”, Historia e një Shenjtëroreje, që flet me gojën e gurëve e të mrekullive: Shëna Ndou i Laçit.

Shtegtim shprese, në Shenjtëroren e Shëna Ndout, në Laç të Kurbinit
Devocioni i Shëna Ndout nis të përhapet në Shqipëri pas ardhjes së françeskanëve në trojet shqiptare, rreth vitit 1240. Jo shumë kohë më vonë, përmbi një shkëmb të egër, të veshur me pyje të dendura, u ngrit Shenjtërorja e, pranë saj, një kuvend françeskan, ku nisi të lulëzojë jeta rregulltare e bijve të Shën Françeskut. E nisën të vijnë edhe  shtegtarët e parë, që vijuan t’i ngjiteshin shkëmbit të egër për të kërkuar e për të nxjerrë hire, me ndërmjetësimin e Shenjtit të Mrekullive. Shtegtimet vijuan edhe pas vitit ogurzi 1967, kur kjo Shenjtërore u hodh në erë me dinamit nga regjimi komunist. Atyre, që e rrënuan, as nëpër mend nuk u shkoi se Shenjti, i cili ndërmjetësonte vazhdimisht te Zoti, për t’i ndihmuar shtegtarët që përballonin rrugën e gjatë e të rrëpirtë, për të ardhur tek këmbët e shtatores së Tij, do të ndërmjetësonte edhe për vete, për Kishën e vet shqiptare në maje të shkëmbit të egër. E shtegtarët e ndjenë në shpirt se ai nuk do t’i braktise shqiptarët, edhe pse ia rrënuan shtëpinë. Vijuan, prandaj, të ngjiteshin shtigjeve të kodrës, e të gjunjëzoheshin mbi gurët, ku banonte tani Shenjti i Mrekullive. Të bindur se Ai ishte gjithnjë aty! Ngjiteshin, një nga një a me grupe të vogla. Po më 13 qershor 1990 besimtarë nga të katër anët Shqipërisë u bashkuan haptazi rreth gurëve të Shenjtërores, për t’u lutur. Ishte ndёr shenjat e para të rilindjes së fesë, që dëshmonte se Shëna Ndou nuk ishte larguar kurrë nga Shqipëria!

Më 1991 Drejtori i Antonianës së Bolonjës, Atë Ernesto Caroli, e vizitoi këtë vend shenjt dhe vendosi të jepte ndihmesën e vet vendimtare për t’ia rindërtuar Shëna Ndout shtëpinë e rrënuar, përmbi themelet e lashta tё Shenjtёrores.

Më 1992, në maje të Laçit u ndez drita e elektrike.

Më 1993  u çel rruga, katër kilometra e gjatë.

Më 1994 Shenjtëroja u përfundua, për t’u përuruar  më 2 maj 1993.


Këtë herë Shenjti, që kishte bërë aq shumë mrekulli për mijëra besimtarë,  e bëri për vete mrekullinë: Kishën e re! Drejt së cilës rinisën shtegtimet e me ta, edhe hiret…E ku, në emisionin e ardhshëm do të dëgjojmë një predk nga Predikatari engjëllor, siç mbeti në kujtesën e atyre, që e dëgjuan. Është fragment nga homelia që pati mbajtur Shëna Ndou të Dielën e parë të Rrëshajve, shkëputur nga Libri  “Predikimet” - vëll. 1, Botime Françeskane.

25 gusht 2020, 14:25