Kërko

 Reliket e Shën Andout Reliket e Shën Andout 

Shtegtim ndër Shenjtërore: Predikon Shëna Ndou!

Në rubrikën “Shtegtim ndër shenjtërore”, sot një predk nga vetë goja e Shëna Ndout.

R. SH. - Vatikan

Shtegtar në shenjtëroren e Shëna Ndout në Laç, dëgjojmë sot një predikimin që vjen nga kohë shumë të largëta. Nga shekulli XIII. Mbajtur nga vetë Shenjti, në solemnitetin e Rrëshajëve:

“Në atë kohë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Ishte një njeri i pasun që veshej me purpur e petka lini e për gjithë ditë shtronte gosta të mëdha”(Lk 16,19).

Në Librin e parë të Mbretënve tregohet se Davidi “muer shkopin e vet në dorë, zgjodh pesë papërdhokë të lëmuet prej përronit e i shtîni në krahoçin e vet barituer, që e përdorte porsi hejbe, muer gjithnjë në dorë bahren e u fillue kundra filisteut”(17,40). Venia menden këtyne katër sendeve: shkopit, pesë papërdhokëve, hejbes e bahres. Shkopi simbolizon Kryqin e Krishtit, pesë papërdhokët, njohjen e Testamendit të Vjetër, krahoçi barituer hirin e Testamendit të ri, bahrja, drejtpeshimin e gjykimit. Prej këndej Davidi, domethanë predikatari, duhet të marrë shkopin, pra Kryqin e Krishtit, për të bajtë ma lehtë, mbështetë mbi të, lodhjen e udhës.

Për këtë shkop, në Librin e Zanafillës thohet: “E ‘i mend unë e kam kalue ketë Jordan vetëm me shkopin tem e tash jam bâ dy çetash". I drejti e kalon dashuninë kalimtare të kësaj bote me shkopin e kryqin e Krishtit e kështu kthehet në tokën e premtueme me dy çeta, me frytet e jetës aktive e të asaj kundruese.

Prediktari duhet ta ketë përherë në dorë këtë shkop, me veprat e mira. Thotë në të vërtetë, Abakuku: “Shkelqimi i tij asht porsi drita, vez’llim vetimash del prej duerve të tija”(3,4). Shkelqimi i jetës shenjte dhe i predikimit asht dritë për mëkatnorin. “Ju jeni drita e botës”(Mt 5-14): në vetë duert e predikatarit duhet të jenë dy krahët e kryqit që, me duer gozhdue mbi ta, të mos mundet kurrë me ba sende të palejueshme.

“Zgjodh pesë papërdhokë të lëmuet prej përronit e i shtîni në  krahoçin e vet barituer, që e përdorte porsi hejbe”. Hejbja e bariut në latinisht thirret pera, emën që mund të përdoret edhe për enën ku mbahet tambli: e asht figurë e Testamendit të Ri, ku ndihet hiri, që mund të krahasohet me tamblin. S’ka gja ma të kandshme se tambli, sepse nana ia jep falas (lat. Gratis), ferishtes, pa kërkue kurrgja prej saj.

Pesë papërdhokët simbolizojnë pesë librat e Mojzehit (Pentateuku), të cilët na kujtojnë dijen e gjithë Testamendit të Vjetër: libra, që predikatari, si ndihmë për predikimin e tij, duhet t’i marrë prej përronit, domethanë prej begatisë së Shkrimit Shenjt, për t’i shtî në krahoçin e Ungjillit. Në të vërtetë, në Testamendin e Ri gjejmë kuptimin e të Vjetrit, sepse, “njena rrotë asht mrenda një rrote tjetër” (Ez 1,16)

Ose, në pesë papërdhokët mund të shohim qortimet e rrepta me të cilat duhen dënue pa kurrfarë mëshire, ata që janë rob të shqisave të korpit. Në të vërtetë, shkelësit e Testamendit të Vjetër, vorrosë nën breshni gurësh, ishin figurat e mëkatnorëve të Testamendit të ri, që duhen gjuejtë me qortime të randa.

“Muer shkopin e vet në dorë e u fillue kundra filisteut”. Shkopi, që ka dy  lidhca me të njajten gjatësi, asht simbol i koherencës ndëmjet doktrinës e jetës. Predikatari duhet ta ketë në dorë këtë shkop, që dora të përkojë me gojën, e sjellja e tij të përkojë me mësimin e tij: vetëm kështu mund të fillohet kundër filisteut e ta mbysë.

Filisteu paraqitet si njeri “që zhgrrahet prej pijes të teprueme”, simbol i të pasunit të kësaj bote, veshë me purpur (krh Lk 16,19), dejshem për shkak të teprimeve të grykësisë e të epshit, njeri që bjen prej hirit në faj e prej fajit do të rrokulliset, mandej, në gjehenë”: pikërisht për të flitet në Ungjillin e soçëm: “Na ishte një njeri i pasun, i veshun me purpur”…

1 Ky është një botim i rrallë, që i sjell besimtarit shqiptar traditën shpirtërore françeskane përmes predikimeve të Shën Antonit të Padovës, apo siç njihet Shna Ndou. Pjesë e Botimeve françeskane, u përkthye nga Dr. Lisandri Kola. Në këtë përmbledhje është e gjithë praktika liturgjike françeskane e krijuar në kohë të ndryshme.

27 gusht 2020, 08:32