Kërko

Vatican News
 Toka e Shnejtë: Gjetsemani Toka e Shnejtë: Gjetsemani 

“Shtegtim, drejt shenjtëroreve”, tek vendi ku u ngjit Maria në Qiell.

Në Jeruzalem, Vëllazëria Françeskane e Gjetsemanit e kremton Solemnitetin e Të Ngjiturit të Marisë në Qiell, sivjet në kushtet e rënda të pandemisë, me pak shtegtarë e pa procesione. Gjithsesi, kremton!

R. SH. - Vatikan

Në Jeruzalem, Vëllazëria Françeskane e Gjetsemanit e kremton Solemnitetin e Të Ngjiturit të Marisë në Qiell, sivjet në kushtet e rënda të pandemisë, me pak shtegtarë e pa procesione. Gjithsesi, kremton! E kremtimi nisi që dje, 14 gusht, me mbrëmësoren e lutjes, por pa procesionin marian me qirinj ndezur. Sot, 15 gusht, kremtimi i parë ishte ai në gjuhën arabe: i dyti, Mesha Pontifikale e kryesuar nga Rojtari i Tokës Shenjte. Së fundi, pas mbrëmësoreve, shtegtimi drejt varrit të Marisë.  

Gjetsemani kremton Të Ngjiturit të Marisë në Qiell

Në këto troje gjithnjë të persekutuara, ku njerëzia vuajtën shumë në rrjedhë shekujsh, e sot edhe më shumë, për shkak të pandemisë, një gjë e vetme i kërkohet Zotit e Zojës së Bekuar: shëndet e paqe për Tokën Shenjte, posaçërisht për gjithë të krishterët, që jetojnë në këto vise. E për shtegtarët. Kjo, lutja  e lartuar drejt qiellit, në prag të Solemnitetit nga Vëllazëritë Françeskane të Gjetsemanit, sivjet pa shtegtarët e shumtë, që mbushnin përplot Jeruzalemin këto ditë gushti. Megjithatë, më 14 e 15 të muajit, si çdo vit, Vëllazëria Françeskane e Gjetsemanit i organizoi përsëri kremtimet prekëse, për të kujtuar “frytin e parë të Pashkëve të Krishtit, Ringjalljen dhe Ngjitjen në qiell të Nënës së Tij”.

Maria dhe Krishti i munduar

Sipas Programit, sonte, nata e festës, 14 gusht, kremtohet mbrëmësorja, por pa procesionin me qirinj ndezur në ato vise, që na kujtojnë ngjarjet më të jashtëzakonshme të besimit të krishterë. E me pjesëmarrjen e pak shtegtarëve, pavarësisht nga dëshira e tyre për të shkelur këto ditë në Tokën Shenjte, tek Shpella e Apostujve, ku është një kopsht, fare pranë varrit të Zojës së Bekuar. Në mbrëmje, në orën 20.30 bashkësia e krishterë, e pranishme në Tokën Shenjte do të marrë pjesë në mbrëmësoren mariane të lutjes, duke respektuar masat e mbrojtjes kundër Covid-19. Pastaj kremtimi vijon me procesionin - shumë të kufizuar sivjet - drejt Bazilikës së Agonisë,  duke mbartur shtatoren e Zojës e duke lexuar kalimin e Marisë në jetën e pasosur, ashtu si tregohet në ungjijtë  apokrifë.

Dogma

Më 1 nëntor 1950, Papa Piu XII shpalli solemnisht dogmën  e Të Ngjiturit të Marisë në Qiell, duke saktësuar se Nëna “auguste” - “e shuguruar” e Zotit, nxori hirin e ruajtes nga kalbëzimi i varrit e, si e mundi vdekjen, siç kishte bërë edhe i Biri, u ngjit me korp e shpirt në lavdinë e Qiellit”. Me kushtetutën apostolike Munificentissimus Deus, Papa Pacelli i jepte forcë dogmatike traditës së popullit të krishterë. Traditë, që nisi qysh në  shekullin V në Jeruzalem me kalendarin Gerosolimitan, në të cilin festa mariane shënohej më 15 gusht. Kjo festë liturgjike, nga kujtim i përgjithshëm i Marisë, u shndërrua në kremtimin e Ngjitjes së Nënës së Zotit në Qiell.

Lavdi, gëzim, nderim për Nënën e Zotit

Në ditën e Solemnitetit, në Gjetseman, mëngjesin e 15 gushtit, në orën 07.30 do të kremtohet Mesha në gjuhën arabe, në Shpellën e Tradhtisë, fare pranë varrit të Zojës. Në orën 10.00, pastaj, në Bazilikën e Agonisë do të kremtohet Mesha Pontifikale, e kryesuar nga Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton. “Çast shumë i rëndësishëm ky - shton françeskani - sepse është Kisha vendase, Kisha nënë e Jeruzalemit që, e mbledhur rreth Atit Rojtar, e kremton këtë Meshë lavdije e nderimi për Zojen. Me këtë rast mund t’i thuash, çka na kujton Bibla: “Ti, lavdia e Jeruzalemit, ti, gazmendi i Izraelit,  ti nderi i popullit tonë!”.

Shtegtimi tek varri i Marisë

Pasditen e 15 gushtit, pas mbrëmësoreve solemne, programi i Vëllazërisë françeskane parashikon shtegtimin te Varri i Marisë. “Është rasti i vetëm në të cilin të krishterët e ritit latin mund të zbresin e të nderojnë Varrin e Zojës.  Bazilika, në të cilën ndodhet Varri i Marisë, me stilin e kryqtarëve, i është besuar ortodoksëve, pikërisht grekëve e armenëve. Kjo është e vetmja liturgji, që mund të kremtohet, si rit latin, pikërisht në ditën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Rojtari zbret dhe e nderon i pari varrin e Zojës, e pas tij, të gjithë të krishterët e ritit latin shkojnë ta puthin këtë vend shenjt. Çasti i shtegtimit përfundon me lutjen dhe bekimin nga ana e Rojtarit.

Tradita ortodokse

Ky shtegtim në Viset Shenjte  tregon sigurisht se Zoti është gjallë, është i pranishëm, se ecën  në historinë e njerëzimit  e se, sidomos, kërkon nga ne, njerëzit, dhuratën e paqes. Devocioni për Nënën e Zotit është shumë i dashur për gjithë të krishterët, si për latinët, ashtu edhe për besimtarët e ritit ortodoks: pesëmbëdhjetë ditë pas kremtimit, më 29 gusht, është kremtimi i madh i ritit ortodoks. Edhe në këto ditë, zakonisht njerëz nga të katër anët e Tokës Shenjte e shtegtarë nga të katër anët e botës, vijnë për të kremtuar Të Ngjiturën në Qiell, sipas ritit ortodoks. Po sivjet erdhën pak e aspak…Ndonëse është gjë shumë e bukur t’i shikosh shkallët e Kishës kryqtare, që zbresin deri te varri i Zojës, gati njëqind këmbë shkalle, shumë të gjera, të ndriçuara nga qindra qirinj. Dritë vetëtitëse! E në secilën prej këtyre flakëzave sivjet ishte një lutje drejtuar Nënës së Zotit për ta shpëtuar Tokën e të Birit nga pandemia e për t’i dhuruar hirin që vitin e ardhshëm të mund të kremtojë me radhë të gjata shtegtarësh, si në vitet më të mira!

15 gusht 2020, 10:58