Kërko

 Ikona Ikona 

“Shtegtim drejt shenjtëroreve”: sot, në Manastirin e Ardenicës.

“Shtegtimi drejt shenjtëroreve” vijon nëpër rrugën Egnatia, ku ka shumë kisha, kushtuar Zojës e, posaçërisht Fjetjes së Hyjlindëses. Po vizitojmë sot Manastirin e Ardenicës….

R. SH. - Vatikan

Manastiri, kushtuar Lindjes së Hyjlindëses Mari, greqisht: Ιερά Μονή Γεννήσεως Θεοτόκου Αρδευούσης) shtrihet afër fshatit Ardenicë, buzë rrugës kombëtare që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës në një pozitë dominuese në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë 237 m. mbi nivelin e detit. Mban emrin e Marisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, ku Nëna e Krishtit është Pajtore e bujqësisë dhe e bujqve, zeje kryesore e banorëve të kësaj zone.

Pakëz histori

Mendohet se themelet e këtij manastiri, ku po shkelim sot, u hodhën në vitin 1282, me nismën e perandorit Andronik II Paleolog i Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores së Beratit mbi anzhuinët. Me sa duket, shtytjen për këtë veprim e mori nga kapela e Shën Triadhës, e ngritur aty shekuj më parë, ndoshta mbi themelet e një tempulli pagan të hyjneshës Artemisa, nga besohet se rrjedh edhe emri i sotëm, Ardenica. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës së lashtë Egnatia, nëpër të cilën mendohet të jetë përshkuar Shën Pali Apostull, duke ungjillëzuar trojet, kudo shkeli. Do të ishte tejet interesante që kjo udhë të quhej “Udha e Shën Palit”,  e të përshkohej nga shtegtarët që dëshirojnë të ecin në gjurmët e Apostullit. Thua të ketë nisur që asokohe historia e këtij vendi të shenjtë të krishterimit? Kjo mbetet për t’u studiuar. Ndërsa dimë se në këtë kishë, në shekullin e madh XV, peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptarë dhe të ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës, i vuri kurorë Gjergj Kastriotit me Andronikën Arianiti. Ishte data 21 prill 1451.

 Kisha e Shën Mërisë dhe Kapela e Shën Triadhës

Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konaket që iu shtuan më vonë, zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri i vajit, furra, stalla e ndërtesa të tjera të nevojshme. Në qendër të tij ndodhet kisha "Lindja e Shën Mërisë", e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit Bazilikal.

Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Kisha ka naosin, narteksin, egzonarteksin dykatësh, në fund të të cilit  lartohet kambanorja, e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur, i ndërtuar me kolona dhe harqe. Naosi përbëhehet nga tri pjesë, të  ndara në dy rreshta kolonash prej druri. Ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës, që përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit, është e shtruar me pllaka guri.

Ikonografia

Kisha e Shën Mërisë u zbukurua me afreske të mrekullueshme nga peneli i piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Piktorët korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744, pasi kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në bazilikat e Voskopojës, Vithkuqit, Myzeqesë dhe në Malin e Shenjtë, në Greqi, ku shkuan disa herë. Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim i traditës më të mirë të pikturës kishtare në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër e Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj.. Disa nga skenat janë "Festat e Virgjëreshës", skenat nga “Jeta dhe mundimet e Krishtit”, “Fjetja e Shën Mërisë”, “Zbritja e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt”, etj.

Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve, mund të sodisim portretin e muzikologut të shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i fundit”- “Kapela Sikstine shqiptare”.

Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekorimin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona u realizua në vitin 1744, edhe me ndihmën e esnafëve, të bakërxhinjve dhe muratorëve voskopojarë, gjë që flet për lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Mund të sodisim - e të lutemi - para ikonës të “Lindjes së Shën Mërisë”, të “Krishtit në fron”, të “Shën Marisë me Krishtin”, të “Johan Pagëzorit”, “Mbledhjes së kryeengjëjve” etj.  Interesant është fakti sesi në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e ciklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë. Piktori e quan mbret të Shqipërisë.

Tepër e vogël kjo hapësirë, për manastirin e madh të Ardenicës. Për ta njohur më mirë gjithë pasurinë që ruan, nuk mjafton shtegtimi virtual. Duhet shkelur me këmbë në këtë vend kaq të pasur me fe, histori, art... 

18 gusht 2020, 10:01