Kërko

Familjja mbretërore spanjolle viziton Shenjtëroren e Santiagos Familjja mbretërore spanjolle viziton Shenjtëroren e Santiagos 

Shtegtarët përsëri për rrugë, drejt Santiagos

Vijojmë “Shtegtimin, drejt shenjtëroreve” nëpër botë. Sot nisemi për një shtegtim virtual, që na çon përsëri larg trojeve tona. Ecim në udhën pa dyshim më të shkelur në botë, atë që të çon në Santiago të Kompostelës… E që u rihap më 1 korrik, pas lockdown, pasojë e pandemisë së Covid-19.

R. SH. - Vatikan

U rihap më 1 korrik, pas lockdown, pasojë e pandemisë së Covid-19, udha më e shkelur në botë, ajo e Santiagos. Katedralja, zyra e shtegtimeve dhe bujtinat publike gjatë rrugës, e rifilluan, duke respektuar masat e sigurimit, veprimtarinë e tyre shpesh shumëshekullore, plot me histori ngarkuar me dhimbje e gëzime, me zhgënjime e shpresa, me sëmundje e shëndet.

Çfarëdo arsyeje ta ketë shtyrë njeriun për të rrokur shkopin e shtegtarit, kur niset për këtë rrugë të gjatë, të ngarkuar me legjenda e rrëfime fare të reja, me fjalor gjysëm në gjuhët kombëtare e gjysëm anglisht, si të ketë bërë vetëm ca hapa, ndjen në shpirt misterin e shtegtimit e kureshtjen për të soditur vende të reja, zakone të reja, popullsi të reja, të panjohura. Bëhet shtegtar! Gjendje e veçantë, që nuk harrohet kurrë më. Udha e Santiagos,  ndër më të famshmet, e deklaruar pasuri e njerëzimit nga Unesco në vitin 1985, shtrihet për më se 800 kilometra. E shtegtari zbulon çdo çast vise të reja, duke nisur nga Spanja, për të shkelur në Francë e në Portugali, mbi gjurmët e lëna nga mijëra njerëz, jo në vite, po në shekuj. Sepse ky shteg i gjatë, që shkelet nga shtegtarët që nga Mesjeta, të çon në Santiago të Kompostelës, në Galici, ku ruhen e nderohen reliket e Shën Jakut të Madh, Apostull. Shtegtimet e para drejt këtij caku nisën që nga shekulli IX, pikërisht atëhere kur u zbuluan reliket e Shenjtit. Është udhë tejet e gjatë, që bëhet herë në këmbë, herë në biçikletë e herë në kalë, me ndalesa në një mori bujtinash me mijëra krevate, për të kaluar natën ata, që nuk dëshirojnë të rrinë zgjuar, duke lexuar qiellin e qindisur enkas për ta (mendojnë) me yjet e arta.

Mbyllja e ndezi më shumë dëshirën për të ecur

“Nuk është mbyllur kurrë  kjo rrugë, edhe kur mbi Evropën ra mënxyra e luftës a e kolerës. Ndoshta shterroi sadopak vargani i pafundëm i shtegtarëve, po ata nuk munguan kurrë - shpjegon në Vatican News imzot Paolo Giulietti, kryeipeshkëv i Lukës, që nga viti 2019 asistent shpirtëror i Bashkëvëllazërisë  së Shën Jakut të Kompostelës, në Perugia. Por, sipas, tij, kjo mbyllje e detyruar nga pandemia, ka shumë mundësi të hedhë bazat  për një rifillim edhe më masiv, me një stil të ri shtegtimi, në kërkim  të përgjigjeve për pyetjet jetike, që vlojnë në trurin njerëzor, sidomos kur i troket te porta “pandemia”. Ai vetë - tregon  - e ka jetuar këtë përvojë, që i është dukur si “universitet i shtegtimit”, sepse këtë kuptim ka udha e fesë, që të hap parasysh, çka nuk gjindet e shkruar në libra, por vetëm në auditoret e shpirtit njerëzor, ku jep mësim “vetë Zoti”!

07 gusht 2020, 08:34