2020.03.07 Trasfigurazione - Titian, c1560, SanSalvador 2020.03.07 Trasfigurazione - Titian, c1560, SanSalvador 

Shndërrimi i Zotit, festë që shndrit gjithçka

Festa e Shndërrimit të Zotit është pjesë e misterit të shëlbimit dhe kujton çastin kur Jezusi, pasi paralajmëroi për Mundimet e Tij, thirri në mal tre apostujt më të dashur dhe iu duk atyre i shndërruar, plot shkëlqim, veshur me një bardhësi verbuese.

R.SH. - Vatikan

Rreth tetë ditë pasi i paralajmëroi apostujt për Mundimet e Tij, Jezusi thërret tre më të afërmit prej tyre dhe ngjitet me ta mbi mal. Pjetri, Gjoni dhe Jakobi shohin kështu, Krishtin e shndërruar, që shkëlqente në dritë e në Lavdi, në shoqërinë e Moisiut dhe Elisë profet, të cilët flasin për vdekjen e afërt të Jezusit në Jeruzalem. Në atë çast, apostujt bien në gjumë të thellë, sepse mendja e tyre s’mund ta mbante gjithçka po përjetonin. Zgjohen të mbështjellë nga një re, prej së cilës Zoti iu flet dhe i këshillon ta dëgjojnë Jezusin, që e quan “Biri im - i Zgjedhuri”.

Simbologjia e malit

Megjithëse ndër shekuj, janë bërë interpretime të ndryshme për malin - si ai për malin Hebron - është e sigurt tashmë, që mali mbi të cilin i çon Jezusi apostujt është Tabori. Interesant, kuptimi i këtij simboli: lartësia është gjithmonë vendi ku njeriu mund të takohet me Zotin, në kahe të kundërt me shpellën, që në përgjithësi, simbolizon botën njerëzore, të prekshme. Zoti, për shembull, ia dha Moisiut rrasat e Ligjit në Sinai, një tjetër mal ky; e kemi një paralelizëm edhe me Golgotën, vendin ku kryqëzohet Jezusi.

Drita, që shndrit gjithçka

Festa e Shndërrimit të Zotit e shpreh në mënyrën më të plotë të mundshme teologjinë e hyjnizimit të njeriut dhe e bën këtë përmes shprehjes së hyjnisë së Krishtit, simboli i së cilës është drita. Me të vërtetë, në paraqitjet ikonografike, që ilustrojnë Shndërrimin e Zotit, gjithçka shndritet, por me nuanca të ndryshme: në tekstin ungjillor thuhet se Krishti duket me një dritë verbuese, në realitet, drita me të cilën paraqitet Jezusi s’është e tij, sepse askush nuk mund ta shohë vërtet Hyjin e të mbetet gjallë. Parashikuar nga Besëlidhja e Vjetër, Shndërrimi i Krishtit është edhe dukje trinitare: vërtet, ndërsa Biri shfaqet me korpin e tij të shdërruar, por gjithsesi prej mishi e gjaku, Ati është i pranishëm me zë, ndërsa Shpirti i Shenjtë, përfaqësohet nga reja e ndritshme.

Moisiu dhe Elia, pastaj apostujt

Në skenën e Shndërrimit, prania e Moisiut dhe Elisë, krahas asaj të tre apostujve, nënvizon natyrën e dyfishtë të Krishtit, i cili është si njerëzor, ashtu edhe hyjnor, por paraqet edhe themelet e vetë Kishës. Zakonisht, Moisiu vendoset në të djathtë, me një mjekërr të shkurtër e fytyrën rinore, duke i dhënë Jezusit rrasat e ligjit; Elia profet, me flokë dhe mjekërr të gjatë, është aty simbol i të gjithë profetëve dhe në fakt, tregon me gisht Krishtin: objektin e profecive të tyre, Mesinë. Jezusi, në mesin e tyre, nuk erdhi për ta shfuqizuar ligjin, ose për t’i kundërshtuar profetët, por për t’i çuar të dy drejt plotësimit, që të gjithë të shohin drejt një të vërtete të vetme, Zotit. Poshtë ndodhen apostujt, të cilët, para së gjithash, janë njerëz dhe si të tillë gabojnë: mjafton të shikojmë Pjetrin, i cili propozon të qëndrojnë atje, duke ngritur tri tenda. Gabimet e tyre, pamundësia e tyre për të kuptuar, e pandashme nga natyra njerëzore, janë ato të secilit prej nesh.

Festa e Shndërrimit të Zotit

Ndër dymbëdhjetë festat e mëdha të kalendarit bizantin, Shndërrimi i Zotit bie në 6 gusht, sepse sipas një tradite të lashtë duhej të ndodhte 40 ditë para kryqëzimit, pra 40 ditë para festës së Lartimit të Kryqit, që kremtohet më 14 shtator. Në Lindje, solemniteti i Shndërrimit të Zotit filloi të festohej në fund të shekullit të pestë, ndërsa në Sirinë perëndimore dokumentohet që nga shekulli i shtatë. Në Perëndim, dëshmitë e para për të datojnë që nga mesi i shekullit të 9-të, por në përhapjen e saj kontributon shumë Pjetri i Nderuar, derisa Papa Kalisti III, në vitin 1457, e shënoi në kalendarin e Kishës universale.

06 gusht 2020, 09:04