San Lorenzo diacono e martire.jpg

Shën Lorenci, diakon e martir

Sipas “Depositio martyrum” të kalendarit jeronimian, pësoi martirizimin në Romë, në rrugën Tiburtina, gjatë persekutimit të perandorit Valerian, më 10 gusht 258, katër ditë më pas, në krahasim me anëtarët e tjerë të kolegjit të diakonëve romakë, që u vranë së bashku me Papën Siksti II.

R.SH. - Vatikan

Duken legjendare vuajtjet e shën Lorencit, diakon e martir, i cili u dogj në skarë nga persekutuesit e vet, por vendi dhe data e mundimeve të tij dëshmohen nga një traditë tejet e lashtë. Sipas “Depositio martyrum” të kalendarit jeronimian, pësoi martirizimin në Romë, në rrugën Tiburtina, gjatë persekutimit të perandorit Valerian, më 10 gusht 258, katër ditë më pas, në krahasim me anëtarët e tjerë të kolegjit të diakonëve romakë, që u vranë së bashku me Papën Siksti II.

          Lorenci mbarështonte paratë e Kishës, prandaj, fillimisht nuk u prek, me shpresën se do të jepte informacione të vyera për pasuritë e bashkësisë së krishterë. Por ai, pasi ua shpërndau të varfërve ato pak gjëra, që akoma ishin në zotërim të Kishës, u paraqit para autoriteteve romake me një turmë të stërmadhe të varfërish, të gjymtuarish e të verbërish, duke thënë: “Këto janë thesaret e Kishës”.

          Nisej kështu, për rrugën e martirizimit, që i vuri vulën jetës së tij në shërbim të varfanjakëve, me besnikëri absolute ndaj Ungjillit të Krishtit. Mbi varrin e tij, perandori Kostandin, i kthyer në krishterim, ndërtoi një bazilikë, e para ndër 34 kishat, që Roma ia kushtoi këtij martiri të saj të dashur, pajtori i tretë i qytetit, pas shën Pjetrit e shën Palit. 

10 gusht 2020, 10:54