sc1.jpg

Shën Kiara e Asizit, e varfër me dashje, pas hapave të Françeskut

E fortë dhe e vendosur, shën Kiara është gruaja e parë, që shkroi një Rregull dhe mori miratimin e Urdhërit të saj të klauzurës nga Papa Gregori IX, vulosur me bulën e Inoçencit IV, në vitin 1523. Në të kërkohej “privilegji i varfërisë” dhe ndihej dëshira e flaktë për “të ndjekur Ungjillin”.

R.SH. - Vatikan

Viti 1211: e Diela e Larit. Heshtja e natës në fushat e Asizit, thyhet nga hapat e shpejtë të Kiarës 18-vjeçare. Ajo e di se po shkon kundër familjes së saj të dashur e të pasur, por Zoti ia ka nxitur dëshirën për liri të vërtetë: dëshiron të jetë e varfër. Ajo arratisje nga siguria familjare është epilogu i një udhe, që filloi shtatë vjet më parë, kur ajo pa diçka, që e tronditi thellë: një i ri i pasur zhveshi rrobat e shtatit, ia ktheu të atit dhe përqafoi Zojën Varfëri: ishte Françesku. Pikërisht ai e priste atë natë në Porziuncola: ia shkurton flokët, e bën të veshë zhgunin e leshtë dhe e çon në kuvendin benedektin të Shën Palit, në Bastia Umbra. I ati do të përpiqej më kot ta bindë që të kthehej në shtëpi.

“Damat e varfra”

         Drita, që ia shndrit sytë Kiarës, tërheq gra të tjera, përfshirë nënën dhe motrat; rreth saj mblidhen gati pesëdhjetë vetë. Françesku i quan “Damat e varfra”, ose “Të mbyllurat e varfra” dhe u jep kuvendin e vogël të Shën Damianit, të cilin sapo e kishte restauruar. Aty, i riu dëgjoi thirrjen e Zotit: “Shko e riparoje shtëpinë time”. Ndërmjet atij, që do të njihej si Varfanjaku i Asizit e Kiarës ndihet bashkimi i plotë. Vajza e quan veten “filiz i vogël” i Françeskut dhe e shoqëron misionin e fretërve në botë me lutje të vazhdueshme, së bashku me simotrat.

Gruaja e parë, që shkroi një Rregull

         E fortë dhe e vendosur, shën Kiara e ardhshme është gruaja e parë, që shkroi një Rregull dhe mori miratimin e Urdhërit të saj të klauzurës nga Papa Gregori IX, vulosur me bulën e Inoçencit IV, në vitin 1523. Në të kërkohej “privilegji i varfërisë” dhe ndihej dëshira e flaktë për “të ndjekur Ungjillin”. 30 vitet e fundit të jetës së saj i kaloi e sëmurë, por gjithnjë e lidhur gëzueshëm me Zotin, në lutje. “Asgjë s’është më e madhe se zemra e njeriut – shkruante shën Kiara – aty, në intimitet, banon Zoti”. Adhuruese e palodhur e Eukaristisë, me pisiden në duar, i bën saraçenët të ikin nga Asizi.

Shpallet shenjte dy vite pas vdekjes

         Në një natë Krishtlindjeje, e zhytur në lutje, pa në muret e qelës së saj, ritet që po kremtoheshin atë çast në Porziuncola, ku rrihte zemra e bashkësisë së fretërve. Për këtë arsye, u shpall nga Papa Piu XII, pajtore e televizionit. Vdiq më 11 gusht 1253, mbi dyshemenë e Shën Damianit. Në buzë, falënderimi i fundit: “Ti o Zot, që më krijove, qofsh bekuar”. Një numër i paparë njerëzish morën pjesë në varrim. Nuk kaluan as dy vite e Papa Aleksandri IV e shpalli shenjte.

11 gusht 2020, 12:23