San Giovanni Maria Vianney San Giovanni Maria Vianney 

Shën Gjon Vianej, famullitari Shenjt i mëshirës së Zotit

Shën Gjoni Vianej qe bari sipas zemrës së Zotit.Gjoni Vianej thoshte: “Sekreti im është i thjeshtë: të japësh gjithçka e të mos mbash për vete asgjë”. E duke qenë krejtësisht i bindur pohonte: “nuk ekzistojnë dy mënyra të mira për t’i shërbyer Zotit. Ekziston një e vetme: ti shërbesh ashtu siç donë Ai të jetë i shërbyer”.

R. SH. - Vatikan

Shën Gjoni Vianej qe bari sipas zemrës së Zotit. Para së gjithash ai ishte njeri “shumë i përvujtë” por në të njëjtën kohë “i vetëdijshëm, se si meshtar” ishte për njerëzit e vet një prej dhuratave më të çmueshme të përdëllimit hyjnor. Dukej si të ishte i pushtuar nga vetëdija e pakufishme që kishte për kuptimin e përgjegjësisë së misionit. “Sikur ta kuptonim mirë se çka është prifti mbi tokë – thoshte Shën Gjoni Vianej – do të vdisnim: jo nga tmerri, por nga dashuria”.

Jeta Shën Gjonit Vianej ë shtë jeta e një njeriu, që i vinte era dele, e për delet e grigjës së vet, flijonte dhe  të paflijueshmen, si për shembull, shkëmbente bukën e freskët, që ia përgatiste gruaja e shërbimit, me koret e mykura të ndonjë varfanjaku e krevatin, që ia lëshonte ndonjë të varfëri, me dyshemenë, ku shtrihej vetëm që tjetri të shijonte një natë në shtroje.

Jetë e përbërë nga shumë jetë, kjo e njeriut, që mësoi ta dojë Jezusin gati- gati para se të mësonte të fliste. Që derdhi shumë djersë, për t’u bërë prift, kur ishte 30 vjeç, falë durimit të pafundmë të një prifti tjetër, mik, sepse nuk ia delte mbanesh kurrsesi ta mësonte latinishten. Përvujtëria i qarkullonte në gjak këtij meshtari, që e mundonte veten me grathore e pendesë të bëra në vend të pendestarëve të tij, në një epokë kur shumë veladona ishin zëvendësuar me petka civile, për shkak të terrorit francez - që e predikonte lirinë e vëllazërimin me gijotinë e e kërcënonte me vdekje, atë që e predikonte dashurinë në emër të Zotit. Në këto kohë jetoi Gjoni, që do të bëhej “famullitar shenjt” e do të kalonte në histori, si kishte kaluar 40 vjet i fshehur në një fshat të vogël, që pak e kush ia dinte emrin, në Ars, 35 kilometra në veri të Lionit, ku arriti në këmbë, në mes të mjegullës së acartë të janarit 1818.

Ishte 32 vjeç, me një fe, që i ngjiste pishtarit gjithnjë të ndezur e 230 shpirtra për t’i kujdesur, të cilët vonë u kujtuan se kishte ardhur famullitari. E ndiqnin, po, Meshën e së dielës - ndonëse shumë vijonin të ishin ndër ara e, edhe më shumë, në pijetoret rreth e rreth kishës, ku sigurisht nuk thoshin Rruzaren. Me të, ky vend, që kishte një emër me tri shkronja, po shndërrohej në model në historinë e Kishës, e jo vetëm. Famullitari i ri nisi luftën, nga predikatorja e rrugëve, kundër plagëve të fshatit të vogël, posaçërisht kundër dehjes së përgjithshme, që rrënonte familjet, duke arritur shumë shpejt ta mposhtë vesin.  E të bëjë edhe përmirësime të tjera shoqërore. Të zhdukë blasfemitë që, nga goja e pleqve, kalonin në gojët e fëmijëve, si të ishin gjë e gjëza.

Famullitari i Arsit ishte luftarak, bujar, mëshirëmadh, i përkorë. Shkëlqente në shumë virtyte. Por shkëlqimin më të madh e kishte në rrëfyestore. Kalonte aty orë e orë, duke harruar të hajë e të flejë. Rrinte duke qortuar, duke këshilluar, duke zgjidhur mëkate. U bë, kështu, për Kishën, mjeshtër i Sakramentit të Rrëfimit. Sepse, mendonte, duhet ngushëlluar gjithkush.

Kërkonte që në rrëfim të mos thuhet njëmijë herë e njëjta gjë, që meshtari të mos e humbasë kohën e besimtarët, që presin radhën, durimin. Porosiste: “Zemra juaj të jetë në buzët tuaja. Ju mund ta gënjeni rrëfyesin, por mos harroni, Zoti nuk gënjehet kurrë. Ai i sheh e i njeh mëkatet tuaja  më mirë se ju vetë”. Kështu, ky shërbëtor i mëshirës,  arriti të shkrijë edhe zemrat më të akullta. Atyre, që rrëfeheshin, pohonte, u jap një pendesë të lehtë. Të rëndën e bëj vetë,  në vend të tyre.

Fama e tij u përhap përtej kufijve të fshatit të vogël. Në vitin 1840 u bë i përditshëm shërbimi i karrocave ndërmjet Arsit e Lionit, e pastaj edhe Parisit. Numri i shtegtarëve arriti në 80 mijë vetë në vit, duke llogaritur vetëm ata, që arrinin me mjete publike.

Gjoni vdiq më 4 gusht 1859, në orën 2 pas mesnate. Shën Piu X e shpalli të Lum në vitin 1905, Piu XI, Shenjt, më 1925. E katër vjet më vonë “Pajtor i famullitarëve”. Në vitin 2009, në 150-vjetorin e vdekjes së Shenjtit, Benedikti XVI shpalli një Vit meshtarak, duke ia kushtuar figurës së Tij, shembull i vërtetë në shërbim të grigjës së Krishtit!

04 gusht 2020, 09:52