AdobeStock_29203628.jpeg

Ryłko: Maria na ndihmon në përballimin e sfidave të përditshme

Në festën e Kushtimit të Bazilikës Papnore të Zojës së Madhe, kardinali kryeprift i saj, Stanisław Marian Ryłko, nënvizoi, gjatë homelisë së meshës, trashëgiminë shpirtërore të kësaj kishe madhështore: mëshirën e Zotit dhe fuqinë ngushëlluese të Shën Marisë.

R.SH. - Vatikan

“Një trashëgimi feje dhe dashurie për Krishtin dhe Nënën e tij, sfidë për të gjithë ne”. Këtë na kujton festa e sotme e Kushtimit të Bazilikës Papnore të Zojës së Madhe, e cila na nxit të mendojmë ç’duhet bërë “që kjo trashëgimi të vazhdojë t’u qëndrojë kohrave dhe të ndikojë në jetën tonë”.

Shën Maria e deshi bazilikën. Histori hiri

          Ky është mendimi, që shprehu sot paradite në homelinë e tij, kryeipeshkvi i Bazilikës Papnore, kardinali Stanislaw Rylko, i cili nuk mund të mos kujtonte zanafillën e historisë së kishës. Gjithçka, pohoi kardinali, vjen nga “vetë Zoja, që iu shfaq në ëndërr një patrici romak dhe bashkëshortes së tij, si edhe Papës Liberi, në mesin e shekullit IV”, duke i treguar më vonë ku dëshironte të ndërtohej një kishë, me atë, që njihet si “mrekullia e borës”. Më 5 gusht 358, ra dëborë a thua se ishte mesi i dimrit e jo i verës. Prej këndej, bazilika njihet si Liberiane, ose si Bazilika e Zojës së Dëborës. Kisha u ndërtua 80 vite më vonë nga Papa Siksti II e sot ka 15 shekuj histori. Është, tha kardinali Rylko, “monument feje, me bukuri të pashoqe, ku gjithçka flet për Krishtin, Birin e Zotit bërë njeri për shëlbimin tonë, si edhe për Nënën e tij!”. Bazilika ruan dy thesare të mrekullueshme: reliken e Djepit të Shenjtë të Betlehemit dhe Fuguren Shenjte të Salus Populi Romani, që nderohet prej shekujsh.

Maria na ngushëllon

          “Në këtë tempull, ndër shekuj – nënvizoi kardinali – shpirti i Virgjërës vazhdoi të ngazëllohet në Zotin Shëlbues, që pa përvujtërinë e shërbëtores së tij”. E shtegtarëve që çdo ditë kapërcejnë pragun e Bazilikës, Zoja u jep prej shekujsh, të njëjtin mesazh: lirinë e bijve të Zotit, të cilëve Ati Qiellor u ka dhënë dinjitet, duke i çliruar nga mëkati. Shenjtëroret janë vende, ku realizohet testamenti i Jezu Krishtit në kryq: njeriu i sprovuar nga drama personale e familjare, e ndien se është në duart e Marisë e dëgjon fjalët e Krishtit: “Ja, nëna jote!” (Gjn 19,27). E kjo Nënë di të japë shpresë e të ndryshojë jetë. Që prej 15 shekujsh, në Bazilikën romake të Zojës së Madhe, aradhe besimtarësh provojnë ngushëllimin amnor të Shën Marisë.

05 gusht 2020, 16:16