Kërko

Vatican News
2018.09.03 Madre Teresa Shen Nene Tereza 2018.09.03 Madre Teresa Shen Nene Tereza  (2011 Gamma-Rapho)

Papa: Shën Nënë Tereza, grua e buzëqeshjes

Papa: Nënë Tereza ishte e mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit, dashuri e dhuruar, larg ideologjive. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e të varfërve, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

R.SH. - Vatikan

Sot ne 110-vjetorin e lindjes se Ganxhe Bojaxhiut, po rikujtojmë fjalët që Papa Françesku tha në Vatikan, më 4 shtator 2016, për Nënë Terezën, duke e shpallur Shenjte, duke ngritur lartësinë e shenjtërisë që pati jeta dhe vepra saj.

Mbrojtëse e jetës

Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje. 

Gjithnjë përkrah më të ligështit, të palindurit…

U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ia njohur dinjitetin, që ia jep vetë Zoti;

…e gjithnjë kundër krimit të varfërisë

E ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.

Mëshira për të ishte kripë e dritë

Për Shën Terezën, mëshira ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj nuk ka nevojë për fjalën tonë, flet vetë

Misioni i Shën Terezës në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.

Ishte e është model i shenjtërisë

 Figura simbolike e kësaj gruaje e rregulltareje mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit!

Nënë Tereza, dashuri e dhuruar, larg ideologjive

 Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.

Shenjtja e buzëqeshjes, gjuhë ndërkombëtare

Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Saj

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Nënë Terezës e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë.

Nënë Tereza hap horizontet e gëzimit e të shpresës

Buzëqeshja e Shën Terezës hap horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri! 

Tani tё ju propozojmё njërën nga porositё e Nёnё Terezёs: Nёnё Tereza: S’ka rёndёsi 

Jep çka ke me të mirë...

Njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egoist
nuk ka rëndësi, duaje.
Po bëre mirë, do të të veshin qëllime dytësore egoiste
s'ka rëndësi, bëj mirë.
Po realizove objektivat e tua, do të gjesh miq të rremë dhe armiq të vërtetë
s'ka rëndësi, realizoji.
E mira që bën do të harrohet nesër
s'ka rëndësi, bëj mirë.
Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm
s'ka rëndësi, ji i sinqerte dhe i ndershëm.
Ajo që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet
s'ka rëndësi, ndërto.
Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh
s'ka rëndësi, ndihmoji.
Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma
s'ka rëndësi, jep... çka ke më të mirë.

26 gusht 2020, 09:51