Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer e dёshmia e Zotit nё gjirin e popullit

Kremtimet dhe veprimtaritë e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer – Provinca e Malit tё Zi, gjatё gushtit 2020. Misioni i motrave françeskane sipas shembullit të Shёn Françeskut tё Asizit, qё predikoi e dëshmoi kudo dashurinë e Zotit. Me dashurinë vetëmohuese të tyre, ato sjellin një cep Qielli në tokë dhe bëjnë që populli të shijojë të mirat e Mbretërisë së Zotit, qysh tash.

R.SH. - Vatikan

Kremtimet dhe veprimtaritë e ndryshme e tё larmishme tё Motrave  Rregulltare Françeskane të Zojës së Papërlyer - Provinca e Malit tё Zi tё kёtyre ditëve tё muajit gusht 2020 si pranimi në noviciat, ripërtëritja e kushteve të jetës rregulltare, kushtet e përjetshme dhe  25 vjetori i kushtimit të jetës rregulltare, qenë një përtëritje e begati shpirtërore dhe një dëshmi e misionit tё tyre tё pareshtur e tё frytshëm, sipas shembullit tё Shёn Françeskut tё Asizit, në gjirin e popullit tё Zotit nё Shqipёri, Kosovё, Mal tё Zi e nё vende tjera.

Kujtojmë se Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer, si Provincë e Malit të Zi formuar më 1965, pjesë e Kongregatës sё Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer, themeluar në Graz të Austrisë më 1843, janë të pranishme me misionin e tyre në vende të ndryshme si në Kroaci, Slloveni, Gjermani, Zvicër, Austri, SHBA si dhe në misione në Afrikë, ndërsa në trevat shqiptare e në mesin e popullit shqiptar, përveç Kosovës, Malit të Zi, janë të pranishme edhe në disa qytete e vende të Shqipërisë si në Shkodër, Tiranë, Hoti Ri etj. Fushëveprimi tyre përbën një spektër të gjanë si: në fushën baritore a pastorale, në shëndetësi, arsim dhe edukim, kujdesi për të moshuar etj.

Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer pёrherё tё tërhequra nga forca e shembullit të Shёn Françeskut tё Asizit, qё predikoi e dëshmoi kudo dashurinë e Zotit, japin, kёshtu, një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e jetёs shpirtërore tё besimtarëve e tё vetё Kishës së ditëve tonaPo mё hollësisht mbi ngjarjet qё përjetuan, gjatё ditëve tё fundit tё muajit gusht, Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer, tё ndjekim shërbimin e Motёr Olga Dulaj, françeskane, ta dёgjojmё...

Tё ndjekim shёrbimin e Motёr Olga Dulaj, françeskane, ta dёgjojmё

Motrat Franceskane, keto dite perjetuan nje pertritje dhe begati shpirterore.

Nga data 16 deri më 23 gusht në bashkësinë e motrave në Hot të Ri, u mbajten ushtrime shpirtërore për motrat e Provincës, ku ishte e mundur merrnin pjesë edhe motrat nga Mali i Zi së bashku me ato nga Kosova dhe Shqipëria.

Pranimi në noviciat

Nderkaq, me 22 gusht, në një ceremoni private, në Kapelën e kuvendit, m. Lidia pranoi për dy vite në noviciat, postulanten Gabriella Kqira, e cila per here te pare veshi petkun rregulltar dhe zgjodhi të quhet m. Pia.

Ripërtëritja e kushteve

Ndërsa ditën e dielë, më 23 gusht, po në Kapelën e kuvendit në Hot të Ri, gjatë një Meshe solemne patëm dy raste të tjera gëzimi, ku m. Rita Ranzi dhe m. Bergita Bardhoku bënë ripërtërimjen e kushteve.

Kete dite poashtu kremtuan 25 vjetorin e kushtimit rregulltar gjashtë motra tonat: m. Shpresa, m. Flora, m. Prena, m. Leonita, m. Zoja dhe m. Viktorina.

Me kete rast, m. Lidia, provinciale në fjalët e shën Françeskut: “Hyji m’i dhuroi vëllezërit” – u ndërlidh në kontekstin e rastit e tha: “Hyji na i dhuroi motrat”, të cilat në emër të gjithë Provinces i pershendeti duke shprehur falenderimet për dhurimin e tyre, për shërbimin qe bejne, duke i nxitur me kete rast te gjitha motrat e pranishme, me fjalet e Shkrimit: “Biro, nëse do t’i shërbesh Hyjit, mos u habit në kohën e vështirësisë..., prano gjithçka të të ndodhë, ki duresë në përvujtërimin tënd” (Sir 2, 2-4). Në 25 vjetorin e kushtimit të saj, në Lutje dhe urime e kyçi edhe motrën Loreta e cila do ta festojë së bashku me motrat në Graz, me të cilat do të jenë shpirtërisht të lidhura.

Kushtet e përjetshme

Nderkaq, Ditën e hënë, me 24 gusht, në Katedralen e “Shën Nikollës” në Lezhë, në duart e Eprores provinciale m. Lidia Kqira, bene kushtet e përjetshme m. Vera Preqi nga famullia e Doblibares dhe m. Elizabeta Markprekaj nga famullia e Zymit. Meshën e shenjtë e udhëhoqi ipeshkvi i vendit, Imzot Ottavio Vitale në bashkëkremtim me shumë meshtarë të tjerë të ardhur për këtë rast nga Shqipëria e Kosova. Përveç një numri të bukur të motrave tona, ishin të pranishme edhe disa motra të kongregatave të tjera, familjarë dhe të ftuar të motrave që u kushtuan si dhe besimtarë tjere. Ishte një kremtim vërtet solemn dhe mirë i përgatitur.

Ipeshkvi Vitale, pasi përshëndeti eproren provinciale dhe të pranishmit, në homelinë e tij theksoi: “Ky është një moment gëzimi që prek jo vetëm këto dy motra që po shpallin kushtet, por edhe të gjithëve ne. Në të vërtetë ajo që gëzon është Kisha për dhuratën që Zoti i bëri, por mbi të gjitha është Zoti ai që ngazëllen i cili i zgjodhi këto dy motra në shërbimin e tij. Sot ju angazhoheni se i kushtoheni Zotit përgjithmonë e pa rezerva. Falënderojeni Zotin për këtë dhuratë të jashtëzakonshme dhe tërësisht falas. Maria ju ndihmoftë të jeni nuse besnike të Birit të saj!”.

Në përfundim të kremtimit Eukaristik edhe m. Lidia ne fjalen e saj përshëndetëse falënderoi Ipeshkvin Vitale për udhëheqjen e Meshës dhe të Ritit të kushtimit, falënderoi meshtarët dhe të gjithë të pranishmit që kishin ardhur për këtë rast. Pastaj i uroi motrat e sapokushtuara dhe iu drejtua me fjalët e shën Klarës: “Në mes të shumë bamirësive që i pranojmë nga Dhuruesi ynë, ta falënderojmë Atin e lavdisë për Po-në e thirrjes sonë. Sa më e madhe të jetë ajo, aq më shumë falënderim meriton. Jini gjithmonë të dashuruarat e Hyjit dhe kujdesuni për atë që i premtuat. dhe përfundoi me fjalët: “Le ta bëjmë tonën shprehjen e shën Terezës së Kalkutës ʹtë bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe’ dhe mos të na mungojë kurrë guximi i martirizimit në të përditshmen tonë, duke shkuar gjurmëve të martirëve shqiptarë”.

 

28 gusht 2020, 10:41