Kërko

Kisha e Shëna Ndout në Gjakovë në dimër Kisha e Shëna Ndout në Gjakovë në dimër 

Një Shenjtërore, ku lypen e fitohen hire: Shëna Ndou i Gjakovës

Në rubrikën e fundit “Shtegtim ndër shenjtërore” Kisha e Shëna Ndout në Gjakovë. E rrethuar nga bredhat gjithnjë të gjelbër, që të kujtojnë pranverën, edhe kur ngarkohen me dëborë, ngrihet në zemër te vendit e ndiqet vazhdimisht nga qindra besimtarë të besimeve të ndryshme.

R. SH. - Vatikan

Kisha e Shëna Ndout në Gjakovë, e rrethuar nga bredhat gjithnjë të gjelbër, që të kujtojnë pranverën, edhe kur ngarkohen me dëborë, ngrihet në zemër të vendit e ndiqet vazhdimisht nga qindra besimtarë të besimeve të ndryshme. Dimër e verë. E posaçërisht ndërmjet majit e qershorit, kur nisin 13 të Martet e Shenjtit të Mrekullive, që përfundojnë me festën tejet të ndjekur prej shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e Kosovës, ndërsa vargane të tjera të gjata shtegtarësh nisen drejt Shenjtërores së Laçit, në Shqipëri.

E ndërtuar në shekullin XIX, Kisha e Shëna Ndout në Gjakovë i nalton dy kumonaret e saj, me kryqat në majë, drejt qiellit, si të donte të përcillte te froni i Zotit lutjet e përditshme të besimtarëve, ngarkuar me kërkim hiresh e falëndërim për hiret e fituara. Është një nga monumentet më të njohura, e më të vizituara, të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Naltohet në “Rrugën e katolikëve”, përballë Kishës së Shën Palit e të Shën Pjetrit, mbi themelet e një kishë tjetër, që njihej si e Patër Milës e që nuk mundi t’i bënte ballë kohës. Mbi themelet e saj, më 1931, françeskani atë Lorenc Mazreku ndërtoi kishën e sotme, që nisi të thirrej menjëherë "Shenjtërorja e Shën Antonit të Padovës" ose shkurt "Kisha e Sh’na Ndout". Më kalimin e viteve, Kisha u restaurua disa herë: iu shtuan konaqet, zyrat, qendra shëndetësore e mjedise të tjera të nevojshme, por pa e cënuar arkitekturën fillestare: me një fasadë drejtkëndëshe dhe me dy kambanore orientuar në drejtimin perëndim-lindje. Porta e hyrjes, e thjeshtë dhe pa dekorime të portalit, përfundon me hark. Kisha ka një navatë, që çon drejt altarit qendror. Fasada, me arkitekturë të pastër, nuk është e ngarkuar me stoli.  Karakteristikë tjetër në këtë objekt kulti është se çdo pjesë në lartësi përfundon me nga një dekor të thjeshtë, me ritëm të rregullt. Edhe dritaret janë të rregulluara në një rresht nga katër dritare në çdo anë (fasada veri dhe jug).  

Festë e madhe, si në Laç, edhe në Gjakovë

Shëna Ndou nderohet shumë në Gjakovë e në gjithë Kosovën. Prandaj edhe kremtohet shumë. Nga njerëz të të gjitha besimeve. E deri nga ata, që nuk besojnë fare, por që kanë nxjerrë hire prej Mrëkullbasit, në çaste të pashpresa të jetës së tyre. Nderohet “Nga heretikë e mëkatarë, të pushtetshëm e të nëpërkëmbur,  të huaj e vendas” - në se flasim me gjuhën e   artë të Shenjtit, që ruhet e pakalbur në Bazilikën  e Tij, në Padovë. Mijëra shqiptarë, nga veriu e jugu, më 13 maj i ngjiten përsëri kodrës së Laçit, e shtegtojnë drejt Gjakovës, për t’u ritakuar më Shenjtin e Mrekullive: dikush për ta falënderuar e dikush për t’i kërkuar hire të reja. Të bindur se Shëna Ndou i pret aty, çdo ditë  e çdo vit…

30 gusht 2020, 08:37