Kërko

 NIkaragua - Katedralja NIkaragua - Katedralja 

Nikaragua: e diel kushtuar lutjes, pas atentatit në Katedralen e Managuas

Ftesë për t’u lutur e për t’i lypur ndjesë Zotit për fyerjen, dëmin, mungesën e respektit, sakrilegjin e dhunimit të Krishtit në praninë e tij reale, në të Shenjtnueshmin Sakrament! Pas sulmit mbi katedralen, që shkatërroi Kryqin e lashtë, Këshilli ipeshkvnor latinoamerikan i nxit të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje.

R. SH. - Vatikan

E diela e sotme, 2 gusht, në kryediqoezën e Managuas është e trishtë, e heshtur. Me kujtimin e freskët të sulmit të djeshëm. Sipas dëshmitarëve dje, një burrë i maskuar - e jo me maskën kundër koranavirusit - si gjithë bota - po me maskën e kriminelit, hodhi një bombë molotov mbi kapelën  e “Gjakut të Krishtit”, brenda Kishës kushtuar Zojës së Papërlyer. Shpërthyen menjëherë flakët, që dogjën Kryqin e lashtë. Ndaj e diela e sotme nuk ishte e ngarkuar me gëzim, si zakonisht, po me lot e, sidomos, me lutje!

Synimi - lexohet në faqen e internetit të Celam (Këshillit ipeshkvnor latinoamerikan) - është t’i lypim ndjesë Zotit për fyerjen, dëmin, mungesën  e respektit, sakrilegjin e dhunimit të Krishtit në praninë e tij reale, në të Shenjtnueshmin Sakrament. Kryeipeshkvi u kërkon besimtarëve t’i falin autorët e atentatit dhe nënvizon: “Ky veprim i mbrapësht na plagosi edhe ne të gjithëve, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, besimtarë dhe burra e gra vullnetmira”

Atentati kundër Katedrales së Managuas, akt “urrejtje për Kishën katolike”

Dita e lutjes dhe e heshtjes mund të jetohet në të gjitha kishat, famullitë e kapelat e kryediqezës, por edhe në shtëpi e në lidhje me mjetet shoqërore të komunikimit, duke marrë pjesë në disa nisma: heshtje, gjithë ditën; lutje para Kryqit; agjërim; Rruzare vetëm, a me familjarët; lutje për paqe në zemra, që të mos lindë ndër to tundimi i urrejtjes e i hakmarrjes”.

Mesazhe solidariteti, nga mbarë bota

Ndërkaq në Kishën Managuas vijonë të arrijnë mesazhe solidariteti nga të katër anërt e botës. Vetë Celam, në një notë nënshkruar nga e gjithë Kryesia, pohon: “Bashkohemi në solidaritet me Kishën nikaraguense, që e shoqëron pa u lodhur kurrë popullin e vet, pavarësisht nga problemet e mprehta ekonomiko-shoqërore, të cilave u shtohen edhe ato të pandemisë së koronavirusit e ngacmimet, të cilat u vijnë nga të katër anët,  atyre që rezistojnë, të mbështetur nga feja, nga e cila marrin forcë – për të mos u përgjigjur me forcë!”.

Nota e Celam përfundon me besimin se autoritetet do ta sqarojnë sa më shpejt arsyen e këtij akti dhune, që nuk mund të pranohet kurrë e në asnjë mënyrë, ngado që të vijë. Në përfundim, thirrja e ipeshkvijve “për të jetuar në paqe e harmoni, duke punuar për zhvillimin e popujve tanë”.

02 gusht 2020, 11:39