Kërko

 NIgeria, vend ku vijon dhuna NIgeria, vend ku vijon dhuna 

Nigeri, nunci: dhuna në vend nuk është vetëm me prejardhje fetare

Shumëfishohen ftesat për t’i dhënë fund dhunës në Nigeri, ku nuk pushojnë sulmet me burime të ndryshme. Thirrja e imzot Antonio Filipazzi-t: të gjitha viktimat janë njëlloj, shteti duhet t’i mbrojë pa bërë asnjë dallim etnik a fetar.

R. SH. - Vatikan

Nga janari i kaluar, në zonat fshatare të qendrës e të veri-perëndimit të Nigerisë u vranë më se 1.200 vetë, viktima të sulmeve e të rrëmbimeve  nga ana e grupeve të armatosura. Dramë, kjo, e denoncuar nga organizata të ndryshme, si Amnesty International dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i cili, kohët e fundit, vërejti se nga 40 mijë vetët që rezultojnë të zhdukur në Afrikë, gjysma është zhdukur vetëm në rajonin  veriperëndimor të Nigerisë, teatër sulmesh e rrëmbimesh nga ana e xhihadistëve të Boko Haramit.

Pas Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, Papa Françesku u lut në mënyrë të posaçme për popullsitë e rajonit verior të Nigerisë, viktima të dhunës e të sulmeve terroriste! Edhe ipeshkvijtë e vendit, përmes kryetarit të Konferencës ipeshkvnore, imzot Augustine Obiora Akubeze, iu drejtuan qeverisë dhe vetë popullit nigerian për t’i kërkuar t’i jepet fund vrasjeve  dhe për të thelluar luftën kundër korrupsionit.

Për sulmet e dhunshme flet edhe nunci apostolik, imzot Antonio Filipazzi, që përshkruan mungesën e plotë të stabilitetit dhe i kërkon qeverisë t’i mbrojë njerëzit pa asnjë dallim etnie a feje “sepse viktimat nuk kanë kurrfarë dallimi”:

“Çështja e dhunës në Nigeri është shumëplanëshe, në kuptimin se nuk flitet vetëm për dhunë të shkaktuar nga terrorizmi ose nga bandat e armatosura. Ka vatra të tjera dhune, shkaktuar nga ndeshjet vendase, etnike, dhunë në zonën e oqeanit, ku piratët rrezikojnë sigurinë e anijeve. Me pak fjalë, gjithëfarë lloj dhune. Sipas meje, ajo që duhet të bëjë qeveria, është të punojë për respektimin e ligjit, të mbrojë jetën dhe pasurinë e qytetarëve, pa bërë asnjë dallim ndërmjet etnive e feve. Viktimat janë të gjitha njëlloj, e shteti duhet t’i mbrojë të gjithë qytetarët, të gjitha pronat e tyre e të gjitha veprimtaritë e tyre të përditshme!”.

Ju po kujtoni fetë, e disa e shikojnë Nigerinë si vend i përçarë keqas nga fetë. A është e drejtë të quhet kështu?

“Kujtojmë se myslimanët janë shumicë në veri, të krishterët, në jug, por kur flasim për përçarje në emër të fesë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në të kaluarën, ashtu si edhe sot, myslimanë e të krishterë  jetuan e jetojnë në paqe. E të dyja palët janë viktima të dhunës. Rëndësi ka të mos thellohet kjo përçarje, të mos flitet për konfliktet, duke i parë të lidhura gjithnjë vetëm me fenë. Feja është njëri nga faktorët e kësaj dhune. Por, sipas meje, kur thuhet se konflikti është fetar, në një farë mënyre jepet një justifikim moral, e kjo e bën edhe më të vështirë rrugëzgjidhjen, mbasi secili mendon se veproi drejt, sepse gjithçka e  bëri në emër  të Zotit, në emër të fesë”.

Çfarë roli mund të luajë Kisha, në bashkëpunim me Shtetin, për t’i siguruar vendit paqen?

“Ipeshkvijtë kanë bërë disa thirrje për paqen, posaçërisht në Kaduna, zona më e rrezikuar nga ndeshjet. Ndoshta në nivel lokal vëmendja është më e madhe, ndërsa nga ana mediave në nivel kombëtar më duket se zëri i Kishës, zëri i Papës, sikur shuhet. Gjithsesi kjo nuk na shkarkon nga detyra  për të folur e për të kërkuar të marrë fund kjo fazë dhune”.

A pranohet Kisha në shtetin e Kadunës?

“Në zonën e Kadunës të krishterët, që janë të shumtë, kanë paguar një haraç shumë të lartë, kanë qarë shumë të vdekur e kanë vuajtur shumë, sepse janë sulmuar, janë dëbuar e jetojnë me rrezik të përhershëm mbi kokë. Ipeshkvijtë u mblodhën në Kafanchan, një nga zonat më të rrezikuara nga dhuna, u lutën, u takuan me njerëzit, botuan edhe një dokument të bërë shumë mirë, me kërkesa konkrete për ta kapërcyer këtë situatë. E kur flet Kisha, nuk flet vetëm për të krishterët, por për gjithë popullsinë, edhe sepse të krishterët jetojnë në një ambient me shumicë myslimane, ku vuajnë më shumë se në ambientet e  tjera”.

 

29 gusht 2020, 12:25