Buzëqeshja  që  buron nga takimi me pafundësinë Buzëqeshja që buron nga takimi me pafundësinë 

Nënë Tereza: Lutje për gëzim

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar Papa foli përsëri për gëzimin. Kujtoi se gëzimi nuk buron nga sendet materiale. As nga joshjet kalimtare. Sendet e joshjet lënë pas vetëm boshllëk. Posaçërisht në shpirtin e të krishterit. Na e kujton edhe Nënë Tereza, gruaja që e jetoi si moskush, gëzimin e pashoq i cili, duke buruar nga Zemra e Zotit, e pushton përgjithëjetë zemrën e njeriut!

R. SH. - Vatikan

Zemra gazmore,

është zemër që digjet nga dashuria.

Gëzimi nuk buron vetëm nga temperamenti,

vështirë të jesh gjithnjë përplot me gëzim!

Nuk vjen vetvetiu gëzimi!

Duhet kërkuar e duhet gjetur

e duhet rritur në zemër.

Gëzimi është lutje, gëzimi është forcë, gëzimi është dashuri!

E dhuron më shumë, kush gëzimin ua dhuron

fëmijëve e të varfërve, të vuajturve e të vetmuarve!

Kush nuk u dhuron vetëm  bukë, po me të, edhe zemrën.

Ndoshta ka pak për të dhuruar:

po mjafton gëzimi: mund të dhurojë gëzimin

që gurron nga zemra përplot me dashuri.

Nëse ku punoni ju ngacmojnë,

jepni përgjigje me një buzagaz.

E në se ju gëzojnë,

përgjigjjuni gëzimit me gëzim.

Nuk do të jeni kurrë në gjendje ta fshihni

sepse gëzimi është shpërthyes,

është ngjitës, gëzimi,

përhapet kudo shkoni,

me këdo rrini!

Gëzimi duhet të jetë shtylla e jetës suaj,

baza e personalitetit bujar,

e shpesh edhe mantel, që i mbulon

e i fsheh flijimet!

Njeriu, që i ka këto dhanti,

shkëlqen si diell

në zemër të bashkësisë!

Zoti jua shpërbleftë dashurinë

me gjithë dashurinë, që dhuruat

e gjithë gëzimin e paqen, që mbollët rreth vetes

në skajet e skutat e botës!

01 gusht 2020, 07:54