Shtegtim në Jasna Gora, në Poloni Shtegtim në Jasna Gora, në Poloni 

Në Jasna Gora: 4 milionë shtegtarë, çdo vit, tek Zoja e Zeshkët

“Në shtegtim, drejt shenjtëroreve”, vijojmë vizitën në shenjtëroret mariane, nëpër botë. Nisemi sot nga Meksika, për të arritur në Poloni e për t’u takuar me Zojën e Czestochova-s! Shtegtim i largët, nga një skaj i botës, në tjetrin, por mahnitës, që të hap horizontet e tokës e të qiellit.

R. SH. - Vatikan

Më 26 gusht, në Solemnitetin e Zojës së Czestochova-s, polakët e nderojnë Marinë si Nënë, Mbretëreshë e Pajtore e kombit polak! E Jasna Gora  është për ta, kryeqytet shpirtëror i Polonisë.

Në gjunjë para Marisë, në çaste të mira e të vështira

Në çastet më të vështira  të jetës, polakët vrapojnë tek Maria. Në çastet më të vështira të historisë, Polonia shtegton e gjunjëzohet tek këmbët e Pajtores së Kombit. Shtegtime, që nuk reshtën as gjatë pushtimit nazist e regjimit komunist. Dhuna nuk mundi të fitonte mbi devocionin e një populli të tërë! E tani që Polonia është e lirë, numri i shtegtarëve bëhet gjithnjë më i madh. Shkojnë në këmbë, me biçikleta, motoçikleta, kuaj e deri me patina, për t’ia besuar Zojës ndjetet e tyre personale e kombëtare.

Ndjeti kryesor i lutjeve të sivjetme

Ndjeti kryesor i lutjeve është ai i falënderimit për  fitimin e pavarësisë së Polonisë dhe zgjedhjen e Karol Wojtylës në fronin e papnisë, me emrin Gjon Pali II. Ndjetet për mbrojtjen e Atdheut e të lumnisë së tij, së pari, më pas, ndjetet personale…

Shtegtim, gjatë gjithë vitit

Shtegtarët nisën drejt Jasna Gorës gjatë gjithë vitit. E ç’mund t’u bëjë dimri me ngrica e vera me vapë, atyre që nuk mundi t’i pengojë diktatura e as pushtimi, ngarkuar më dhunë e me krime? Nisen, vetëm a me shokë! E sot edhe ne jemi shokë të polakëve në shtegtim! Pikërisht në stinën kulmore të shtegtimeve, që është vera. Sidomos, muajt korrik e gusht, kur drejt Shenjtërores dynden më së 40 shtegtime dioqezane e disa duzina rajonale. Udha më e gjatë - 617 km - është ajo që bëjnë shtegtarët e kryedioqezës së Szczëcin-Kamien. Ndërsa numri i shtegtimeve organizuar me biçikleta sivjet arriti në 113.

Pakëz histori

Festa e Zojës së Çestokovës për Shenjtërorën e Jasna Gorës, u themelua nga Papa Piu X, në vitin 1904. Në vitin 1931, Papa Piu XI caktoi datën 26 gusht për kremtimin e festës. Katër vjet më pas u miratuan edhe tesktet liturgjike të Zojës së Çestokovës, që flasin për Mbrojtjen e Polonisë nga Maria. Që nga viti 1956, Solemniteti kremtohet jo vetëm në Shenjtëroren e Zojës së Zeshkët, por në të gjitha Kishat e Polonisë! Është festë Kombëtare e, sidomos, popullore, e një vendi, që i është kushtuar i tëri Zojës!  Ku mund të lutesh me lutjet e shpirtit tënd, por edhe me ato të Gjon Palit II, para asaj Nëne, që iu kushtua me moton “Totus Tuus!”, “Jam krejt yti!”. Aty mjafton të përsërisim këto fjalë! Pas Meshës, natyrisht!

04 gusht 2020, 12:10