Kërko

 Ndjesa! Ndjesa! 

Në Asizi, Ditë Ndjese, shpresë e madhe për njeriun e sotëm

Me Meshën e kremtuar nga atë Michael Perry, Epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, u hap sot Solemniteti i Ndjesës së Asizit.

R. SH. - Vatikan

Udha e përgatitjes, e nisur të mërkurën e kaluar me Triditshin, u kurorëzua sot me  hapjen e Solemnitetit të Ndjesës së Asizit. Udhë, e cila pati si qëllim përgatitjen e shpirtit përmes Sakramentit të Rrëfimit, ripajtimit me Zotin, që është mëshirë e dashuri. Me Atë, që nuk pushon s’i përqafuari bijtë, posaçërisht kur prishin plangun e ravgojnë nëpër rrugë të padëshiruara. Asizi “e hapi portën e Porciunkolës, për të gjithë ata, që  e ndjejnë në shpirt dëshirën e lashtë të Françeskut për t’u hapur të gjithëve një portë tjetër, atë të Parrizit!”.

Ndjesa e plotë

Nga ora 12.00 e 1 gushtit e deri  në orën 24.00 të 2 gushtit, mund të fitohet ndjesa e plotë në Asizi, por edhe në Kishat françeskane të botës, duke nisur nga Kisha françeskane e Gjuhadolit, në Shkodër. E mund të ndiqen edhe të gjitha kremtimet nga kanalet e françeskanëve “Frati Assisi”, facebook e Youtube.

Nesër, Solemniteti i Ndjesës

Nesër, Solemniteti i Ndjesës, në orën 19.00 do të kremtohen Mbrëmësoret e dyta. E gjithë kjo festë e përvitshme, sivjet ndiqet me një përshpirtëri të re, më të ndjerë, sepse krahas me shtegtarët e paktë drejt Asizit, sivjet shtegton edhe Covid 19. Po pandemia nuk i tremb besimtarët, që nuk e shikojnë virusin me tmerr, por me besim të plotë në ndihmën e Zotit, në atmosferën e festës me Portat e Parrizit të hapura!  

01 gusht 2020, 12:50