Më 8 tetor hapet në Tiranë çështja e lumnimit e atë Ettore Cunial
R.SH. - Vatikan
Nuk është zgjedhur më kot data e 8 tetorit. Pikërisht në atë datë, 19 vite më parë, një i ri shqiptar i ra 17 herë me thikë, deri sa dha shpirt. Ndoshta, jo të gjithë e njohin historinë e meshtarit trevizan. Ai lindi në Possagno të Italisë, më 13 gusht 1933 e, pasi përfundoi studimet, u shugurua meshtar në Kongregatën e Shën Jozefit, më 8 tetor 1951 (edhe një herë 8 tetori). Me përshpirtëri të thellë, shërbeu në Napoli, Romë, Mesinë, Palermo, duke mbuluar detyra të rëndësishme, ndërmjet të cilave edhe atë të ekzorcistit.
“Të pres në Tiranë”
E pikërisht, gjatë ushtrimit të këtij misioni, ndërsa thoshte një lutje çlirimi, dëgjon nga një i pushtuar prej djallit, një zë të çuditshëm e plot zemërim, që e kërcënon: “Të pres në Tiranë”. Është e lehtë të kuptohet si mbeti shtang meshtari, kur, pas disa kohësh, eprori i kërkoi të shkonte misionar në Shqipëri. Megjithatë, pas 15 minutash lutjeje të thellë, pranoi propozimin dhe në vitin 2000 shkoi në Fier, ku filloi shërbimin e tij.
I riu nga Kukësi
Në jug të Shqipërisë, i kalonte ditët me thjeshtësi e lutje, duke bërë mirë aq sa kishte mundësi. Ndër njerëzit, që përfitonin nga bujaria e meshtarit, ishte edhe një ri nga Kukësi, Faslliu. Atë Ettore, i cili ndërkaq zhvendoset në kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, i jepte shpesh ushqim, strehë dhe e ngushëllonte shpirtërisht të miturin e varfër. Natën e 8 tetorit 2001, pa ndonjë arsye të dukshme, Faslliu shkoi në shtëpinë e atë Ettore-s dhe ia nguli thikën 17 herë. Pastaj, vodhi çka gjeti dhe u kthye në Kukës.
Vdekje e pashpjegueshme
Përgjigjet dhe reagimet e të riut, pyetur nga policia shqiptare, i lanë të gjithë pa gojë. “Më duhej ta bëja” tha ai, cinik e krejt i ftohtë, para atyre, që i kërkonin shpjegime. Pas 10 ditësh, si të ishte zgjuar nga një gjendje mpirjeje, adoleshenti qau dhe pohoi se ishte shtyrë nga një kushëri, i cili e bindi se meshtari i kishte marrë nderin së ëmës. Lajmi shkandulloi opinionin publik shqiptar. Të gjithë pyesnin se ç’të keqe kishte bërë ai njeri, që merrej vetëm me shërimin shpirtëror të njerëzve e me bamirësi e s’kishte as një vit, që kishte ardhur në Shqipëri. Me hapjen e çështjes së lumnimit, do të bëhen të gjitha përpjekjet për ta shqyrtuar deri në fund lidhjen ndërmjet kësaj ngjarjeje të tmerrshme dhe atij paralajmërimi shqetësues e kërcënues, që atë Ettore Cunial mori para se të nisej.