Kërko

1592973366036.jpg

Lutja ekumenike për paqen ndërmjet dy Koreve

Dita e lutjes për paqen dhe bashkimin e gadishullit korean, më 9 gusht, organizuar nga Këshilli Ekumenik i Kishave, disa ditë pas përvjetorit të pavarësisë nga Japonia, në çastin që Perandoria u dorëzua në përfundim të Luftës II Botërore.

R.SH. - Vatikan

75 vite pas përfundimit të Luftës II Botërore dhe 70 nga fillimi i Luftës Koreane, që zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953, shpresa është po ajo: të arrihet paqja, t’i jepet fund luftës, sepse rreziku i konfliktit ndihet akoma. Për këtë arsye, çdo vit, të dielën që i paraprin përvjetorit të 15 gushtit, ditës së çlirimit të Koresë nga pushtimi japonez, por edhe ditës së ndarjes ndërmjet Veriut dhe Jugut, Këshilli Ekumenik i Kishave i fton gjithë të krishterët të bashkohen në lutje për paqen dhe për bashkimin e gadishullit korean. Kësaj radhe, data ishte 9 gushti. Gjatë viteve, ky impenjim për dialog ka pasur disa çaste kulmore, që nga takimi i parë zyrtar me Federatën e Kishave Koreane e deri në përgjigjen humanitare për zinë e bukës të viteve të para ’90 e në qëndrimet kundër armatimit bërthamor.

Për ribashkimin, duhet lutje e solidaritet

          Në qershor, me rastin e 70 viteve nga fillimi i konfliktit, u lexua një mesazh ekumenik për paqen nga përfaqësuesit e Kishave të Krishtera, për të kujtuar “luftën tejet shkatërrimtare”, pas së cilës nuk u nënshkrua kurrë ndonjë traktat për paqen, përveç armëpushimit në Panmunjeom. Pikërisht këtë kërkojnë të krishterët e të gjitha traditave: një deklaratë formale zyrtare për përfundimin e luftës në Kore dhe hapa të shpejtë drejt miratimit të një traktati paqeje, i cili duhet të zëvendësojë armëpushimin e vitit 1953. Fatkeqësisht, kjo thirrje e Këshillit Ekumenik të Kishave vjen vetëm pak ditë pas shpërthimit në zyrën ndërlidhëse ndërmjet dy Koreve, në Kaesong, shkaktuar nga Koreja e Veriut, ku akoma mbretëron komunizmi. Kjo ndarje, nënvizon Këshilli, është një nga sfidat e mëdha politike dhe shpirtërore të kohërave tona, prandaj, lutja e të krishterëve, nga të dyja anët e kufirit, është akt i rëndësishëm solidariteti për të dy popujt. Për paqen, i duhet lutur Zotit të paqes.

10 gusht 2020, 10:16