Vatican News
 Zoja e Lurdës Zoja e Lurdës  (ANSA)

Lurdë: Sot nisi shtegtimi kombëtar francez

Nga procesioni, tek koncerti: tejet i pasur programi i shtegtimit në Lurdë që, për shkak të pandemisë, do të ketë pak shtegtarë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të kryesojë, më 15 gusht, kremtimin eukaristik në Solemnitetin e Zojës së Ngjitur në Qiell. Atë Nicola Ventriglia, kapelan i shenjtërores, kujton: “Do të hapen edhe pishinat, shenjë e rikthimit të ngadalshëm në normalitet”.

R. SH. - Vatikan

Ai, që nisi sot e që do të përfundojë më 16 gushtin e ardhshëm, nuk do të jetë shtegtimi klasik vjetor kombëtar francez në Shenjtëoren e Lurdës, që organizohet për të 147-tën herë. Për shkak të pandemisë ngjarja, me titullin profetik “Të shkojmë në burimin e dashurisë” - parashikon pjesëmarrjen e pak shtegtarëve, në krahasim me turmat e pafundme të viteve të shkuara. Besimtarët, e sidomos të sëmurët e të shtruarit në spitale, që nuk mund të marrin pjesë, do t’i përfaqësojë një delegacion, që do të ketë edhe detyrën për t’i ndihmuar njerëzit në vend - njofton konferenca ipeshkvnore.

I pranishëm, Sekretari i Shtetit të Vatikanit

Ndonëse virusi kufizon ndjeshëm numrin e pjesëmarrësve, tradita, përsa u përket ngjarjeve, do të respektohet: programi është i pasur, si gjithmonë, me kremtime, rruzare, procesione, dëshmi, biseda publike, shoqërore e shpirtërore, netë pa gjumë në lutje, lutje në Shpellën e Masabielës e koncerte. Ditën e Solemnitetit të Zojës së Ngjitur në qiell - 15 gusht - kremtimi eukaristik do të kryesohet nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.

Pritje e posaçme

“Shtegtimi kombëtar francez - kujton atë Nicola Ventriglia, kapelan i Shenjtërores së Lurdës - u organizua nga kongregata e Asuncionistëve. Për shtegtarët, që do të marrin pjesë, u përgatit një mikpritje e ngrohtë, gati speciale: duhet ta ndjejnë veten si në shtëpi të vet. Natyrisht! Shenjtërorja  mariane është shtëpia e Marisë, e si shtëpi e Zojës, është edhe shtëpi e ne të gjithëve. Nuk do të mungojnë edhe kremtimet ndërkombëtare sepse - kujton atë Ventraglia - Lurda është shenjtërore botërore. Ndonëse shtegtimi është farncez, parashikohen edhe kremtime në gjuhë të tjera, E pastaj, gjëja më e bukur, do të jetë kushtimi Zemrës së Zojës!

Pishinat, të rihapura

Gjatë shtegtimit do të ketë edhe një shenjë të rëndësishme të rikthimit të ngadalshëm në normalitet: do të hapen pishinat. Ndonëse nuk do të mund të bëhet akoma banjo - saktëson atë Ventriglia. Por të pranishmit mund të sillen rreth e rreth tyre, veprimtari që do të përfundojë me gjestin e ujit:  të ndihmuar nga ekipi ynë, shtegtarët do të mund të marrin pakëz ujë, mund ta pinë ose të lahen me të. Si Maria, që e kënaqi pa masë Bernardetën, ashtu edhe ne duam që shtegtarët të ndjehen mirë, shumë mirë.

Prania e kardinalit Parolin

Në orën 10.00 të së shtunës, 15 gusht, kremtimin, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, do ta kryesojë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. “Prania e tij - shton atë Ventriglia - është inkurajim i madh për ne, në një çast kaq të vështirë. Kjo prani na bën ta ndjejmë fare pranë edhe të shumëdashurin, Atin tonë të Shenjtë, Françeskun".

12 gusht 2020, 13:30