Kërko

moltiplicazione dei pani vangelo moltiplicazione dei pani vangelo 

Liturgjia e Fjalës sё Zotit tё dielës sё 18-tё gjatë vitit kishtar "A"

Krishti është i vëmendshëm përballë nevojave materiale, por dëshiron të na dhurojë diçka më shumë, sepse njeriu ka gjithnjë uri për diçka më shumë, ka nevojë për diçka më tepër. Në bukën e Jezu Krishtit është e pranishme dashuria e Hyjit; në takimin me Të, mund të themi se ushqehemi me Hyjin e gjallë, hamë me të vërtetë ‘bukën që zbret nga qielli’.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Meshës të së dielës: kësaj here të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 18-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës sё Zotit tё dielës sё 18-tё gjatë vitit kishtar "A"

Pas mësimeve mbi Mbretërinë e Hyjit, Mateu ungjilltar, kёtё tё diele, trajton një pyetje tjetër, pyetje e vjetër e pëherë aktuale: kush është Jezusi? Kësaj pyetjeje, përgjigjen e së cilës do ta gjejmë disa herë në Ungjill në mënyrë të qartë, por gati gjithmonë nga goja e Pjetrit, ungjilltari – e më të edhe liturgjia – i jep përgjigje graduale, në mënyrë që ai që sheh të mund të shoh edhe më tepër, e kush nuk do të shoh mbetët në verbësinë e vet. Kështu pra, fillon autodëftimi i Mesisë që do të ketë kulmin e vet kur centurioni romak do të klithë pranё Krishtit tё kreyqёzuar: më të vërtetë ky është Biri i Zotit.

Ungjilli ripohon se Jezusi dëftohet porsi Ai që e realizon profecinë e Izaisë (Leximi Parë). Eshtë fjala për Mesinë e premtuar, por edhe për Mojsiun e ri, i cili në shkretëtirë ka dhembèshuri për popullin e vet dhe i jep bukë, e buka sipas fjalorit që përdor Mateu – mori, bekoi, e ndau, ua dha – bëhët profeci e Eukaristisë që ne kremtojmë në Meshën e Shenjtë. 

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na tregon për shumëzimin e bukëve nga ana e Jezu Krishtit, gjest hyjnor që dëfton dhembëshurinë e Jezusit, thirrjen drejtuar dishepujve të vet për t'u bërë bashkëpunëtorë të tij, për të qenë veprimtarë të mёshirёs Hyjnor në mesin e njerëzve nevojtarë. Leximet e Meshës e trajtojnë Fjalën e Zotit dhe bukën si ushqim shpirtëror e trupor, buka gurrë për jetën shpirtërore e për mirëqenien trupore, dhuratë e dashurisë Hyjnore dhe thirrje solidariteti e bujarie mes njerëzve.

Prandaj, nuk i lejohet askujt të jetë indiferent përballë tragjedisë së njerëzve, që kanë uri e etje: këtё na kujton Jezusi përmes mrekullisë sё shumëzimit të bukëve e të peshqve pёr çka flet Ungjilli i kёsaj sё diele, i cili na kujtoi se Krishti, tejet i vëmendshëm ndaj nevojave materiale, i inkurajon të gjithë njerёzit për ta ndarë bukën me nevojtarët e tё varfrit.

Krishti, pra, nё Ungjillin e kёsaj sё diele na kujton përgjegjësitë tona: të bëjmë gjithçka është e mundur për t’i ndihmuar ata njerёz, të cilët vuajnë nga uria e nga etja. Në këtë kohë pushimesh nuk duhet t’i harrojmë të tjerët, që ravgojnë duarthatë në shtigje të njё jete mё tё denjё. T’i hapim duart e zemrat, për t’i ndihmuar, sepse kalojnë çaste të rënda prove.

Ungjilli, pёrmes mrekullisё sё shumëzimit të bukëve e të peshqve, pohon se Krishti e ushqen turmën e uritur, por me këtë gjest nuk na jep recetën e nevojshme për të shuar urinë e popujve të botës, nuk e zgjidh as dramën e urisë, që vijon në rrjedhë shekujsh. Por na kujton se është e ndaluar të rrimë duarlidhur, të shikojmë me sy indiferent, njeriun që vuan.

Krishti është i vëmendshëm përballë nevojave materiale, por dëshiron të na dhurojë diçka më shumë, sepse njeriu ka gjithnjë uri për diçka më shumë, ka nevojë për diçka më tepër. Në bukën e Jezu Krishtit është e pranishme dashuria e Hyjit; në takimin me Të, mund të themi se ushqehemi me Hyjin e gjallë, hamë me të vërtetë ‘bukën që zbret nga qielli’. Mrekullia qëndron në ndarjen vëllazërore të atyre pak bukëve të cilat, pasi i besohen pushtetit të Hyjit, jo vetëm që mjaftojnë për të gjithë, por edhe teprojnë, aq sa të mbushen dymbëdhjetë shporta. Shporta, që Zoti Jezus, pastaj, ua beson dishepujve.

Pra, Jezusi Zot i nxiti nxënësit t’ua shpërndanin bukën turmës së uritur të popullit; në këtë mënyrë i mësoi dhe i përgatiti për misionin e tyre të ardhshëm apostolik: vërtet ata duhet t’u çojnë të gjithë njerëzve ushqimin e Fjalës së jetës dhe të Sakramenteve. Në Eukaristi, Jezusi na bën të gjithë ne dëshmitarë të mëshirës së Hyjit për çdo vëlla e motër e kështu rreth Misterit Eukaristik, lind shërbimi i bamirësisë, shërbimi i solidaritetit për tjetrin, të afërmin. E ne si të krishterëve jemi tё ftuar për t’u bërë një me Krishtin në Eukaristi, nga kёtu thirrja për ta parë Zotin si ushqimin e vërtetë dhe kryesor të jetës sonё. Na e dëshmon këtë edhe Shën Injaci i Lojolës, themelues i Jezuitëve, të cilin Kisha e përkujtoi mё 31 korrikun e kaluar. Injaci zgjodhi rrugën e një jete, që e shtyu ta kërkojë Zotin në të gjitha sendet, duke e dashur Atë në të gjitha krijesat.

Pёrmes Ungjillit tё kёsaj sё diele Jezusi na drejton ftesën për vepra bamirësie e pёr ndarje të përbashkët të të mirave materiale e shpirtërore. Fjala e Zotit na kujton se çdo njeri ka nevojë të përhershme për bukë e për ujë, pёr solidaritet. Pastaj, Fjala e Zotit e kёsaj sё diele na kujton se ajo, që na ushqen me të vërtetë e për të cilën kemi etje të pashuar shpirtërore, është dashuria, nga e cila buron paqja. Këto gjëra nuk shiten e as nuk blihen në treg: mund t’i pranojmë vetëm si dhuratë. E mundësia për të marrë dhurata bëhet gjithnjë më e madhe, pikërisht kur dhurojmë. Kur mësohemi të dhurojmë, atëherë sigurisht që nuk do të na mungojnë edhe ne dhuratat

                                                               Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Lexim prej Librit të Isaisë profet (55, 1-3)

Kështu thotë Zoti: “O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme! Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të rrojë! Me ju do të lidh besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.” Fjala e Zotit.

Psalmi 145
Hape dorën tënde, o Zot, dhe ngije çdo krijesë


Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty:
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde,
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve (8, 35.37-39)

Vëllezër, kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.
Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Fjala e Zotit. 

ALELUJA, aleluja.

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë,
e unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
Aleluja

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (14, 13-21)

Në atë kohë, kur Jezusi dëgjoi për vdekjen e Gjon Pagëzuesit, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar – në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij këmbë prej qyteteve. Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurit e tyre. Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë: “Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëshoj njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.” Jezusi u përgjigj: “Nuk është nevoja të shkojnë: jepnu ju të hanë!” Ata iu përgjigjën: “S’kemi këtu por pesë bukë e dy peshq.” Jezusi vijoi: “M’i bini këtu!” Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar. I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës. Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj. Fjala e Zotit. 

01 gusht 2020, 09:36